Lajme

Covid-19 po lë pasoja në shëndet te ata që e kanë kaluar, hapet pavioni Post-Covid në Sanatorium

Në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” i njohur sanatoriumi është hapur një pavjon i posaçëm qe merret me trajtimin e pacientëve post- Covid.

Sipas burimeve të brendshme vendimi për të hapur njësinë e posaçme të trajtimit post-Covid erdhi nga kërkesat e larta për shtrime në këtë kategori.

Rreth 40% e shtrimeve ditore në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, janë post-COVID dhe zakonisht janë personat që e kanë kaluar COVID me simptoma të rënda, benë të ditur burimet nga Sanatoriumi. Këto pacientë shpesh vuajnë nga fibroza pulmonare, e cila dëmton dhe shformon indet e mushkërive. Indet trashen, ngurtësohen e për rrjedhojë dëmtojnë frymëmarrjen normale.

Dëmtimi i mushkërive i shkaktuar nga fibroza pulmonare nuk mund të riparohet, por ilaçet dhe terapitë ndonjëherë mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Personat me fibrozë pulmonare preken shpesh nga kolla e thatë, kanë lodhje sistematike, humbje në peshë. Në varësi të simptomave tek disa persona, përkeqësimi është i monitorueshëm dhe zgjat me vite, ndërsa disa persona përkeqësohen më shpejt. Shpesh këta persona kanë nevojë për trajtim spitalor.

Mjekët pneumologë shprehen se fibrozat janë tipike në rastet Post-COVID. Në ardhmen do të ketë rritje të mëtejshme të rasteve, për shkak se vala e infeksioneve me COVID po vijon.

Lexo më shumë  ShBA pas vizitës së Whitaker në Kosovë: Po avancojmë interesat e përbashkëta të sigurisë

Fibrozat në mushkëri Post-COVID, përveçse janë një ngarkesë e re për sistemin, ulin në mënyrë të ndjeshme produktivitetin e jetës te personat e prekur. Përgjithësisht këta persona nuk përballojnë punë të rënda fizike dhe kanë nevojë për mjekime që zgjasin gjithë jetën, duke u shndërruar në barrë për shoqërinë dhe sistemin shëndetësor në afat të gjatë.

Të dhëna operative nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se rreth 20 mijë persona po vuajnë “COVID-in e gjatë”. Ata po vuajnë nga pasojat direkte dhe indirekte të sëmundjes, të tilla si dëmtime të mushkërive, lodhje kronike dhe dëmtim të sistemit nervor dhe çrregullime psikike. Pasoja të tilla zgjasin 4-5 muaj, por edhe më shumë pas kalimit të infeksionit dhe po cilësohen nga sistemet shëndetësore si sindromi “post-COVID”, ose “Long COVID”.

Teksa sistemi shëndetësor në vend është në betejë frontale për të përballuar trajtimin e drejtpërdrejtë dhe zvogëlimin e barrës akute të COVID-19, po jepen sinjalet e para, pandemia po rrit barrën e sëmundjeve.

Përvec dëmit në mushkëri, Covid-9 ka shkaktuar probleme të shëndetit mendor. Shtrimet në spitalin psikiatrik janë rritur me rreth 40% këtë vit.

Lexo më shumë  Kuvendi mblidhet sot, shqyrton në lexim të dytë 10 projektligje, mban mbledhje edhe Kryesia

“Nature”, një revistë javore ndërkombëtare, që boton kërkimet më të mira në të gjitha fushat e shkencës, në gusht të këtij viti publikoi një mega studim se si COVID-19 lë 55 efekte afatgjata te personat e prekur.

55 efektet afatgjata u vlerësuan nga 21 meta-analiza ku u përfshinë 47,910 pacientë (mosha 17-87 vjeç). Studimi përcaktoi si “COVID të gjatë” periudhën nga 14 deri në 110 ditë infeksion pas virusit. Rezultatet treguan se 80% e pacientëve të infektuar me SARS-CoV-2 zhvilluan një ose më shumë simptoma afatgjata. Pesë simptomat më të zakonshme ishin lodhja (58%), dhimbja e kokës (44%), çrregullimi i vëmendjes (27%), rënia e flokëve (25%) dhe dispnea 24% (ndjesi e pamundësisë për t’u mbushur me ajër).

Studimi që publikoi “Nature” tregoi se 80% individëve me diagnozë të konfirmuar COVID-19 vazhdojnë të kenë të paktën një efekt përtej dy javëve pas infeksionit akut./ Monitor

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *