Ministri i Drejtësisë i Danimarkës: Kërkuam ndihmë për të burgosurit edhe nga vende tjera, Kosova e para reagoi pozitivisht
Në objektin e Qeverisë së Kosovës, është nënshkruar një letër-qëllim sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup ka thënë se Danimarka ka kërkuar ndihmë edhe nga vende tjera për sistemimin e të burgosurve por Kosova e para ka ofruar ndihmë.
“Kemi kërkuar ndihmë nga disa vende për ta zgjidhur këtë problem, por Kosova ka qenë vendi i parë që ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës tonë dhe është angazhuar pozitivisht më pas në dialog për këtë çështje”.
Hakkerup ka thënë se qendrat e paraburgimit do të menaxhohen sipas ligjeve të Danimarkës.
“Menaxhimi do të jetë nën lidershipin e autoriteteve të Danimarkës, por do të ketë trajnim edhe për stafin vendas. Danimarka do të respektojë të gjitha ligjet sa i përket sistemimit dhe trajtimit të burgosurve”, tha ndër të tjera Nick Hakkerup.
Për këtë huazim, sipas letër-pëlqimit, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro në dekadën e ardhshme.
Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënshkrimi i letër-pëlqimeve është vetëm hapi i parë drejt arritjes së një marrëveshjeje, që më pas duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.
Rruga Press