Gjeneralët amerikanë japin alarmin: Ushtria të bëhet gati për një grusht shteti
Paul D. Eaton, Antonio M.Taguba & Steven M.Anderson janë tre gjeneralë të SHBA-ve që kanë bërë thirrje përmes një shkrimi në “Washington Post” për përgatitjet që duhet të bëjë ushtria e vendit me qëllim përballimin e një tjetër grushti shteti gjatë viteve të ardhshme.
Ata parashikojnë vitin 2024 si më të mundshëm për një grusht shteti për shkak të zgjedhjeve presidenciale atje.
Nga Paul D. Eaton, Antonio M.Taguba & Steven M.Anderson “The Washington Post”
Ndërsa po afron përvjetorit i parë i kryengritjes me pasoja vdekjeprurëse në Capitol Hill-Washington, ne si ish-zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane jemi gjithnjë e më të shqetësuar mbi pasojat e mundshme të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, dhe potencialin e krijimit të një kaosi me pasoja serioze brenda ushtrisë sonë, çka do t`i vendoste në rrezik të madh të gjithë amerikanët.
Thënë shkurt:Ne jemi të tmerruar nga mendimi se një grusht shteti, do të ketë sukses herën tjetër që do të tentohet. Një nga pikat e forta të ushtrisë sonë, është se ajo mbështetet nga popullsia jonë e larmishme. Ajo përbëhet nga një koleksion individësh, të gjithë me besime dhe prejardhje të ndryshme etnike.
Por pa një ruajtje të vazhdueshme të kohezionit, është shumë real potenciali për një kaos në ushtri, që do të pasqyronte ndarjet e forta sociale apo politike. Dhe shenjat e trazirave të mundshme në radhët e forcave tona të armatosura janë më se të dukshme.
Më 6 janar 2021, një numër jo i vogël veteranësh dhe pjesëtarësh aktivë të ushtrisë amerikane morën pjesë në sulmin mbi Capitol. Më shumë se 1 në 10 nga ata që u akuzuan për sulmin e asaj dite, kishin qenë më parë pjesë e ushtrisë së SHBA-së.
Një grupim prej 124 zyrtarësh ushtarakë në pension, nën emrin “Flag Officers 4 America”,bënë publike një letër ku ndër të tjera i bënë jehonë sulmeve të rreme të Donald Trump mbi legjitimitetin e zgjedhjeve tona.
Çfarë është më shqetësuese, kohët e fundit gjeneral brigade Thomas Mancino, gjenerali që drejton trupat e Gardës Kombëtare në Oklahoma, refuzoi një urdhër të presidentit aktual Joe Biden që kërkonte vaksinimin e të gjithë anëtarëve të Gardës Kombëtare kundër koronavirusit.
Mancino deklaroi se ndërsa Garda e Oklahomas nuk është e mobilizuar në mënyrë federale, komandanti i tij kryesor është guvernatori republikan i shtetit, dhe jo presidenti i SHBA-së. Nëse ndodh një kryengritje tjetër, do të ishte shumë shqetësuese mundësia për një prishje totale të zinxhirit komandues përgjatë linjave partiake, nga maja e zinxhirit deri në nivelin e një skuadre operative.
Skenari i organizimit të njësive të tilla që mund të rebelohen ndaj komandantit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane,nuk mund të hidhet tërësisht poshtë. Imagjinoni për një moment rivalizimin e komandantëve të përgjithshëm – një Biden i sapozgjedhur që jep urdhra, dhe një Donald Trump (apo një figurë tjetër Trumpiane), që jep urdhra si kreu i një qeverie në hije.
Më keq akoma:imagjinoni në një moment sikur politikanët në nivel shtetëror dhe federal të instalojnë ilegalisht si president një kandidat humbës të zgjedhjeve. Të gjithë anëtarët e shërbimit betohen për të mbrojtur Kushtetutën e SHBA-së.
Por në një proces zgjedhor të kontestuar, ku ka një ndarje të besnikërisë, disa mund të ndjekin urdhrat e komandantit të përgjithshëm legjitim, ndërsa të tjerët mund të ndjekin kandidatin humbës Trumpian.
Edhe armët mund të mos jenë të sigurta në varësi të asaj se kush i mbikëqyr ato. Sipas një skenari të tillë, nuk është e çuditshme të thuhet se një kaos në ushtri mund ta çojë SHBA-në drejt një luftë civile. Në këtë kontekst, me ushtrinë tonë të paralizuar dhe të përçarë, do të dëmtohej siguria e SHBA-së.
Secili nga armiqtë tanë mund të përfitojë, duke nisur nga një sulm i gjithanshëm ndaj aseteve tona apo aleatëve tanë. Mungesa e gatishmërisë ushtarake gjatë pasojave që sollën zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishte mbresëlënëse dhe shumë shqetësuese.
Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Mbrojtjes së Trump, Christopher C.Miller, dëshmoi se e ndaloi me dashje mbrojtjen ushtarake të Capitol Hill përpara 6 janarit 2021. Thuhet se gjenerali i ushtrisë Mark A. Milley, kreu i Shefit të Shtabit të Përbashkët, u përpoq të siguronte që mbrojtja bërthamore e vendit të ishte e sigurt nga urdhrat e paligjshëm.
Është e qartë se e gjithë ushtria jonë u zu gafil në fillim të këtij viti. Dhe teksa vendi është ende i përçarë si kurrë më parë, ne duhet të ndërmarrim hapa për t’u përgatitur për më të keqen.
Së pari, duhet të bëjmë gjithçka për ta parandaluar një kryengritje tjetër. Asnjë udhëheqës i vetëm që e frymëzoi atë nuk është mbajtur përgjegjës. Zyrtarët tanë të zgjedhur dhe ata që zbatojnë ligjin -përfshirë Departamentin e Drejtësisë, komitetin e përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve dhe gjithë Kongresin – duhet të tregojnë më shumë emergjencë. Por ushtria nuk mund të presë që të veprojnë zyrtarët e zgjedhur. Pentagoni duhet të urdhërojë menjëherë një rishikim të roleve për të gjithë protagonistët – me uniformë dhe civilë – që janë mbi Kushtetutën dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Po ashtu duhet të ketë një rishikim të ligjeve të luftës, dhe mënyrës se si identifikohen dhe trajtohen urdhrat e paligjshëm. Duhet të ketë një përforcim të“unitetit të komandës”, për t’ia bërë të qartë çdo anëtari të Departamentit të Mbrojtjes se para kujt duhet të japin llogari.
Asnjë anëtar i shërbimit ushtarak, nuk duhet të thotë se nuk e kuptonte se nga kush të merrte urdhra gjatë skenarit më të keq të mundshëm. Përveç kësaj, të gjitha degët e ushtrisë amerikane duhet të bëjnë një punë më intensive në fushën e të dhënave inteligjente në të gjitha bazat ushtarake.
Synimi duhet të jetë identifikimi, izolimi dhe largimi i rebelëve të mundshëm; ruajtja nga përpjekjet e propaganduesve që përdorin informacionet e rreme për të përmbysur zinxhirin komandues; dhe për të kuptuar sesi përhapen keqinformimet e tjera nga ana e propagandistëve.
Së fundi, Departamenti i Mbrojtjes duhet të zhvillojë disa simulime në lidhje me kryengritjen e ardhshme të mundshme post-zgjedhore apo ndonjë përpjekje të re për një grusht shteti, për të identifikuar pikat e dobëta.
Më pas, ai duhet të kryejë një përmbledhje nga lart-poshtë të gjetjeve të tij, dhe të fillojë të vendosë masa mbrojtëse për të parandaluar sabotimet jo vetëm në ushtri, por edhe në çdo agjenci që punon krah për krah me ushtrinë. Ushtria dhe ligjvënësit e kanë krijuar tashmë një ide e re për të parandaluar ndodhjen e një kryengritje tjetër në vitin 2024. Por ata do të kenë sukses vetëm nëse ndërmarrin tani veprime vendimtare. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Shënim: Paul D.Eaton, gjeneral-major në pension i ushtrisë amerikane, dhe këshilltar i qendrës “VoteVets”. Antonio M.Taguba, gjeneral-major në pension i ushtrisë amerikane. Steven M.Anderson, gjeneral brigade në pension i ushtrisë amerikane.
Rruga Press