Pronarët e inceneratorëve në kërkim, Ministria e Ballukut iu jep 620 000 $ për impiantin e Fierit një ditë pas vendimit të SPAK
Pronarët e inceneratorëve janë në kërkim policor me urdhër të SPAK, por pagesat e buxhetit të shtetit në drejtim të kompanive që zotërojnë këto koncesione vazhdojne normalisht. Më 13 dhjetor, një ditë pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kishte vendosur masën e arrestit me burg për ish ministrin e mjedisit Lefter Koka, dhe dy aksionerëve të inceneratoreve Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë ka regjistruar pagesën prej rreth 620 mijë dollarësh amerikanë për kompaninë Integrated Technology Waste Treatment Fier, e cila menaxhon pikërisht impiantin e Fierit.
Kjo është pagesa mujore për këtë koncesion. Integrated Technology Waste Treatment Fier, zotërohet në masën 70% nga Integrated Technology Services, kompani me aksioner të vetëm Klodian Zoton, dhe pjesa tjetër zotërohet nga shoqëria Ndërtim Montimi Patos.
Sipas pagesave të publikuar nga drejtoria e thesarit e ministrisë së financave, ekzekutimi i trasaksionit është bërë, më datën 15 dhjetor të këtij viti, një ditë pasi Lefter Koka ishte arrestuar, dhe klodian zoto ishte shpallur publikisht në kërkim policor.
Po në këtë ditë, më 15 dhjetor kompania e Klodian Zotos Integrated Technology services, tashmë nen sekuestro preventive, është marrë nën drejtim me vendim gjykate nga administratori shteteror Farudin Arapi. Ky i fundit është bërë i njohur në fillim të viteve 2000 si administrator kryesor i firmave piramidale, të cilat ishin në proces falimentimi. Ndërkohë deri më tani koncesioni i inceneratorit të Fierit ka përfituar rreth 38 milionë dollarë amerikanë.
Rruga Press