Bota

Thellohet kriza politike në Britani; dorëhiqet ministri për Brexit-in

Kriza politike që ka përfshirë Kryeministrin britanik Boris Johnson është thelluar me dorëheqjen e një aleati të tij të afërt, ministrin për Brexit-in, David Frost, i cili përmendi si arsye kufizimet e vendosura për pandeminë dhe drejtimin e qeverisë.

Zoti Frost ka drejtuar negociatat e Britanisë në periudhën post-Brexit me Bashkimin Evropian. Zoti Frost shprehu pakënaqësinë e tij me politikat e qeverisë gjatë një fjalimi muajin e kaluar, ku u shpreh se ishte i shqetësuar që Britania nuk po e shfrytëzonte avantazhin e krijuar me daljen nga BE-ja, për të krijuar një kurs të ri qeverisjeje të kufizuar, taksash më të ulëta dhe pakësim të kufizimeve ligjore.

Në letrën e tij të dorëheqjes të shtunën, zoti Frost i rikthehet kësaj teme duke u shprehur se “ju i dini shqetësimet e mia për drejtimin e tanishëm. Shpresoj se do të lëvizim me shpejtësinë më të madhe të mundshme për arritur aty ku duhet të jemi: tek një ekonomi me rregulla të lehta, me taksa të ulëta dhe me sipërmarrje, në ballë të shkencës moderne dhe të ndryshimit ekonomik”.

Lexo më shumë  Mijëra studentë serbë protestojnë për të kërkuar përgjegjësi për incidentin në Novi Sad

Ai përmend irritimin e tij me masat e rikthyera shtrënguese për pandeminë, duke thënë se “na duhet gjithashtu të mësohemi të jetojmë me COVID-in dhe e di që këtë instikt e keni edhe ju. Morët një vendim të guximshëm në korrik, megjithë kundërshtimin e konsiderueshëm, për ta hapur vendin sërish. Fatkeqësisht nuk rezultoi të jetë e pakthyeshme, siç shpresoja, dhe besoj se shpresonit edhe juve. Shpresoj se do të kthehemi sërish në rrugën e duhur dhe të mos tundohemi nga lloji i masave shtrënguese që kemi parë gjetiu”.

Lexo më shumë  Dokumente të rreme: Si Rusia po përpiqet të mashtrojë me identitetin e ushtarëve të Koresë së Veriut

Largimi i zotit Frost përmbyll shtatë ditë pësimesh të mëdha për zotin Johnson. Javën e kaluar, zoti Johnson u përball me një nga rebelimet më domethënëse parlamentare në historinë moderne britanike. Mbi 100 nga ligjvënësit e partisë së tij konservatore votuan kundër rikthimit të kufizimeve të ashpra për pandeminë dhe kundër miratimit të kufizimeve të reja, ndër to edhe futjen e pasaportave të vaksinimit për të hyrë në klube dhe në mjedise ku zhvillohen aktivitete të mëdha. Kryeministri i gjendur në vështirësi u trondit edhe më tej nga një humbje e rëndë në zgjedhjen e pjesshme parlamentare në zonën e Anglisë së Mesme, ku kishin fituar pa ndërprerje konservatorët që nga viti 1832./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *