Këndvështrimi i Departamentit të Shtetit për luftën ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit nga institucionet në Kosovë
Departamenti i Shtetit gjatë ditës së djeshme ka publikuar raportin e shteteve për luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Raporti nis duke treguar se Kosova ende vazhdon që të luftojë kërcënimin e terrorizmit përmes bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tutje përmenden se si në vitin e kaluar në shkurt ishte mbyllur Zyra e Koordinatorit kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm i cili udhëhoqi strategjinë e Kosovës për të luftuar këto dukuri.
“Kosova vazhdon të adresojë pasojat e riatdhesimit të 2019-ës të katër luftëtarëve të huaj të dyshuar për terrorizëm dhe 106 anëtarëve të familjeve nga Siria, një nga riatdhesimet më të mëdha civile deri më tani nga zona e konfliktit”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.
Të gjithë personat e rritur janë ndjekur penalisht ose janë gjykuar në mënyra të ndryshme nga forcant e rendit.
Gratë dhe fëmijët në edhe sot pavarësisht se raporti i Departamentit të Shtetit është i vitit të kaluar, vazhdojnë të marrin ndihma prej institucioneve të Kosovës për ri-integrim dhe rehabilitim përmes programeve të ndryshme të cilat financohen nga vende të ndryshme por edhe nga ShBA.
Në raport theksohet edhe puna e Divizionit për parandalim dhe ri-integrim i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët së bashku me Ministrinë e Arsimit 37 fëmijë në atë kohë nga 74 sa ishin kthyer gjithsej i kishin regjistruar në shkollë dhe më pas u kanë ndihmuar nënave të tyre që të ri-integrohen dhe punësohen me ndihmën e donatorëve ndërkombëtar.
Departamenti i Shtetit ka raportuar edhe për incidentet në gjatë vitit të kaluar duke theksuar se nuk ka pasur të tilla por ka përmendur disa faktor të cilët mund të ngrenë pikëpyetje në sigurinë afatgjate në Kosovë.
“Korniza legjislative e Kosovës është ndër më të prirurat në Ballkan për ndjekjen penale të individëve të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste, por shkurtimi i dënimeve, lirimi i parakohshëm nga burgu dhe mungesa e mbikëqyrjes së organizuar pas lirimit ngrenë pyetje për sigurinë afatgjate”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.
Në raport përmendet edhe lirimi i të pandehurve në rastin “Uragani”.
“Kjo është hera e dytë që të pandehurit shpallen të pafajshëm nga akuza për terrorizëm, megjithëse u dënuan për posedim dhe tregti pa leje të armëve. Ky rast nisi fillimisht në vitin 2015 nga prokurorët ndërkombëtarë dhe më pas i kaloi sistemit gjyqësor vendor, duke qëndruar në gjykatat e Kosovës për pesë vjet”, thuhet në raport.
Departamenti i Shtetit ka theksuar në raport edhe se Kosova ka hartuar një kornizë ligjore për sanksionet financiare të synuara kundër organizatave terroriste, e cila pas miratimit nga Asambleja Kombëtare do të përmirësojë mjetet në dispozicion të Njësisë së Inteligjencës Financiare për të kufizuar financimin e terrorizmit.
Sipas Departamentit të Shtetit, strategjia e mëparshme e Kosovës për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm ka qenë një udhërrëfyes pesë vjeçar për frenimin e kërcënimit në rritje të terrorizmit.
Kjo pasi strategjia theksoi rolin e të gjithë institucioneve të cilat do të merrnin pjesë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Gjithashtu aktualisht strategjia e re kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm është ende draft strategji, ndërsa në raport theksohet se e njëjta do të shpalosej në vitin 2021.
Kujtojmë se jemi në muajin e fundit të këtij viti dhe kjo strategji pavarësisht themelimit të grupit punues ende nuk është miratuar./birn/