Kurti: Kosova është halë në sy për federatën ruse
Kosova është halë në sy për federatën ruse, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për mundësinë e destabilzimit të situatës në rajon, si pasojë e situatës së krijuar së fundmi në Bosnje.
Kurti ka thënë se Kosova është target i Rusisë, duke përmendur dy shenja këtë vit nga ky shtet.
“Nuk besoj që Bosnja dhe Hercegovina e Mali e zi janë më shumë të rrezikuara sesa Kosova nga federata ruse, në kuptimin e aspiratave të federatës ruse. Kosova është target, meqenëse këtë vit na u dhanë dy shenja: ishte avioni Mig 29 në Jarinje teksa ambasadori rus, Aleksandër Boçan Kharçenko erdhi të inspektojë grumbullimin e forcave serbe në kufi bashkë me ministrin e tyre të mbrojtjes kur ekzistonte ajo periudhë e tensioneve dhe shenja tjetër ishte kur në fund të nëntorit, presidenti i Serbisë dhe ai rus e nxorën në tavolinë hartën e Kosovës. Gjatë këtyre një dekade e gjysmë të fundit, Rusia ka korrur disa fitore me hegjemoninë e saj territoriale, që të mund të ndalet kollaj tash. Nuk e ka ndonjë konflikt ku dështoi që do ta bënte të mendonte të ndalej, prej Bjellorusisë e deri në Siri”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka përmendur se presidenti i Serbisë, Vladimir Putini, ka qenë në Kosovë në korrik të vitit 2001, në kohën kur ai ishte në burg në Serbi.
“Presidenti rus është bërë kryeministër dy muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Në qershor 1999 Kosova çlirohet, në gusht ai bëhet kryeministër, ndërkaq në dhjetor pas dorëheqjes së Yeltsinit, ai bëhet ushtrues detyre i presidentit. Ai e ka vizituar Kosovën. Putini ka qenë në Kosovë në korrik të vitit 2001, unë kam qenë në burg në Qupri atëherë, ka vizituar trupat ruse këtu. Kjo te lajmet ndërkombëtare ishte, aty e pata pa që Putini i ka vizituar trupat ruse. Pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Rusia anekson Osetinë jugore dhe Apazinë. Pra Kosova është halë në sy për federatën ruse dhe duket se janë irrituar edhe ca më shumë tash kur ne dëbuam dy zyrtarë rusë, kurse ata për dallim prej shteteve të tjera, nuk kishin se si të na hakmerreshin ne sepse ne nuk kemi zyrtarë atje”, ka thënë Kurti.
Rruga Press

