Lajme

Fytyrat e Reçakut

Në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.

Harta më poshtë tregon gjendjen e fshatit dhe vendet ku janë ekzekutuar viktimat sipas të dhënave të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës.

Kush janë viktimat?

Këta janë të vrarët dhe vendet ku u gjetën trupat e tyre.

Për krijimin e profileve të viktimave janë përdorur të dhëna nga dokumente të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, të dhëna të Fondit për të Drejtën Humanitare, si dhe libri “Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimit”, i botuar në vitin 2004. 

Në këtë tekst janë përfshirë 44 viktima, fotografitë e të cilave janë të vendosura në memorialin e viktimave në fshatin Reçak të Shtimes.

Çfarë ndodhi në Reçak?

Në fshatin Reçak të Shtimes, në orët e para të mëngjesit të 15 janarit, 1999, u dëgjuan të shtënat e para me armë zjarri.

Fshati që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, kishte filluar të braktisej nga banorët, për shkak të afërsisë në të cilën ishin vendosur policia dhe ushtria serbe.

Gjatë një aksioni disa orësh, forcat policore dhe paramilitare serbe vranë atë ditë 45 civilë shqiptarë në Reçak.

Shumë prej tyre, sipas ekipeve vëzhguese ndërkombëtare, ishin gjymtuar.

Numri më i madh i viktimave kishte mbetur në Kodrën e Bebushit, derisa të vrarë të tjerë kishte në të gjithë fshatin.

Mëngjesin e 16 janarit, 1999, në Reçak shkoi William Walker, atëbotë shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Walker ishte personi i parë që alarmoi botën për krimet në Reçak.

“Nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj që ta përshkruaj ngjarjen si masakër, duket qartë, padyshim një krim i rëndë kundër njerëzimit”, tha Walker.

Trupat e të vrarëve u vendosën në xhaminë e fshatit nga familjarët. Policia serbe nuk e lejoi varrimin. Luftimet midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rifilluan.

Pas gati dy ditësh luftime, forcat serbe i morën trupat e viktimave nga xhamia dhe i dërguan për obduksion në Prishtinë.

Sipas tyre, obduksioni tregoi se ngjarja nuk kishte të bënte me masakër.

Këtë e mohoi më vonë një raport i obduksionit, i bërë nga një ekip finlandez, nën udhëheqjen e ekspertes së forenzikës, Helena Renata.

Në deklaratat zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se viktimat ishin pjesëtarë të UÇK-së, që ishin vrarë në luftime.

Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton, e dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë.

“Ishte një akt i qëllimshëm dhe joselektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë në mesin e popullit të Kosovës”, tha Clinton.

Pas gati një muaji, më 11 shkurt, 1999, në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.

Mohimi i vazhdueshëm që Serbia ia bën masakrës së Reçakut

Zyrtarët serbë vazhdojnë ta mohojnë këtë masakër edhe sot. Ata përsërisin se ngjarja në Reçak ishte

një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, e përsëriti këtë edhe më 10 dhjetor, 2021.

“Agresioni i NATO-s [v.j. kundër caqeve të ushtrisë serbe] filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, tha Vulin.

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, tha se mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë.

Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se krimet që kanë ndodhur në Reçak më 1999, nuk mund të mohohen.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999, janë të dokumentuara mirë”, tha Stano.

Duke komentuar deklaratat e ministrit serb, William Walker tha se masakra e Reçakut është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Slobodan Milosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, tha Walker.

Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, tha se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish dha një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.

“Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpitë ku ata ishin strehuar”, tha Kandiq.
Masakrën e Reçakut e mohon vazhdimisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar si “trillim”.

Si mbetën pa u dënuar krimet në Reçak?

Kanë kaluar mbi dy dekada nga dita kur ka ndodhur masakra në fshatin Reçak të Shtimes, por për këtë rast nuk është dënuar drejtpërsëdrejti askush.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë më 15 janar, 1999, ishte pjesë e aktakuzës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë ndaj Sllobodan Millosheviqit, Milan Milutinoviqit, Nikola Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit dhe Vlajko Stojilkoviqit.

Gjykata i akuzonte këta persona për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë në Kosovë, ndërsa në mënyrë specifike përmendej vrasja e së paku 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

“Më 15 janar, 1999, ose rreth kësaj date, në orët e hershme të mëngjesit, fshati Reçak, Komuna e Shtimes, u sulmua nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe të Serbisë. Pas granatimeve nga njësitë e Ushtrisë Jugosllave, policia serbe hyri në fshat në mëngjes dhe filloi të kryente kontrolle shtëpi më shtëpi. Fshatarët, të cilët tentuan t’i iknin policisë serbe, u qëlluan në të gjithë fshatin. Një grup prej rreth 25 burrash tentuan të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga policia serbe. Ata u rrahën dhe më pas u dërguan në një kodër aty pranë, ku policët i qëlluan dhe i vranë. Në total, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë vranë afërsisht 45 shqiptarë të Kosovës në dhe rreth Reçakut”, thuhej në aktakuzë.

Lexo më shumë  Kosova do të hapë fabrikën e prodhimit të municionit dhe dronëve. Kurti: Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake

Ish-presidenti i Serbisë dhe Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, gjatë gjykimit në Hagë, ftoi dhjetëra dëshmitarë për të dëshmuar se masakra që ndodhi në Reçak “ishte e sajuar” dhe se “të vrarët, që të gjithë, ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se ata ishin vrarë në shkëmbim zjarri me forcat serbe.
Milosheviq vdiq pak kohë para se Gjykata e Hagës të merrte vendim për akuzat me të cilat ngarkohej.

Mes tjerash, ai akuzohej për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.

Më 26 shkurt, 2009, u shpall aktgjykimi për ish-presidentin e Serbisë, Milan Milutinoviq. Ai u lirua nga të gjitha akuzat.

“Gjykata nuk është e bindur përtej dyshimit të arsyeshëm se Milan Milutinoviq ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërmarrjen e përbashkët kriminale”, deklaroi gjyqtari i Gjykatës në Hagë, Iain Bonom.

Ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Nikola Shainoviq, gjenerali i ish-Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, dhe ish-shefi i policisë serbe, Sreten Lukiq, u dënuan secili me nga 22 vjet burgim për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.

Gjenerali i ish-Ushtrisë Jugosllave, Vlladimir Llazareviq, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të kësaj ushtrie, Dragolub Ojdaniq, u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në dëbimin dhe transferimin me forcë të shqiptarëve etnikë nga Kosova dhe u dënuan me nga 15 vjet burgim.

Megjithatë, nuk u dënuan për përgjegjësi të drejtpërdrejtë në vrasjen e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Reçaku u hoq nga rasti ndaj Milutinoviqit dhe të tjerëve, për shkak se masakra atje kishte ndodhur para se të shpallej gjendja e luftës dhe para se të niste konflikti i armatosur ndërkombëtar.

Ky konflikt nisi më 24 mars, 1999, në ditën kur NATO-ja filloi bombardimet mbi caqet e ushtrisë serbe, me qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.

Përgjegjësia në lidhje me masakrën e Reçakut përmendet në aktvendimin dënues të Gjykatës së Hagës për gjeneralin e policisë serbe, Vlastimir Gjorgjeviq, i cili u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës: për dëbim të dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës, zhvendosje të dhunshme, vrasje, transportim të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi, përndjekje racore të shqiptarëve të Kosovës dhe shkelje të ligjeve dhe traditave të luftës.

Në dokumentet e Gjykatës së Hagës thuhet se Gjorgjeviq luajti rol udhëheqës në përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për të fshehur vrasjen e 45 civilëve në Reçak, në janar të vitit 1999./rel/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *