Kaligrafia arabe – trashëgimi jomateriale në listën e UNESCO-s
Kaligrafia arabe tashmë është trashëgimi botërore jomateriale. Futja në lisën e UNESCO-s – siç ka njoftuar Organizata Botërore e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë me vendimin të së martës – do të mundësojë ruajtjen e kësaj mjeshtërie të moçme të shpërndarë në botën arabo-myslimane. Propozimin e adresuar në UNESCO, në krye me Arabinë Saudite e kanë mbështetur 16 vende, ku islami është religjion i shumicës. Vendimin UNESCO-ja e ka bërë të ditur nëpërmjet “Twitterit”. Ministri saudit i Kulturës, Badr ben Abdalah ben Farhan, e ka mirëpritur një vendim të tillë dhe ka vlerësuar se ai do të kontribuojë në zhvillimin e kësaj trashëgimie kulturore, ka njoftuar agjencia shtetërore e këtij vendi.
“Kaligrafia arabe është praktikë artistike e shkrimit me dorë në një mënyrë të rrjedhshme që të vijnë në shprehje harmonia, ndjeshmëria dhe bukuria”, ka njoftuar UNESCO. Ky lloj shkrimi gjithherë ka shërbyer si simbol i botës arabo-muslimane, ka thënë Abdelmaxhid Mahbub, përfaqësues i Shoqatës për Mbrojtjen e Historisë Saudite, organizatë joqeveritare që është angazhuar për marrjen nën mbrojtje të këtij lloj shkrimi si trashëgimi jomateriale. Ai ka shprehur keqardhje që shumë njerëz tash nuk shkruajnë me dorë për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe që dita-ditës numri i artistëve të kaligrafisë arabe po bie. Ka vlerësuar që regjistrimi i kësaj mjeshtërie si trashëgimi jomateriale në Lisën e UNESCO-s, me siguri që do të ndikojë pozitivisht në ruajtjen e saj.
Trashëgimia jomateriale ose “trashëgimia e gjallë” është “trashëgimi e paraardhësve tanë të cilën ua bartim pasardhësve tanë”, ka theksuar UNESCO.
“Që një praktikë kulturore të definohet si trashëgimi kulturore jomateriale, ajo duhet të jetë dinamike…duhet të ketë kuptim në jetën e njerëzve”, ka thënë Tim Curtis, sekretar i Konventës së UNESCO-s në këtë temë, të miratuar në vitin 2003.