Vitali Klitschko ‘kap armët’: Jam gati të luftoj për vendin tim
Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës po arrijnë çdo ditë nivele të larta, ndërkohë që mes të dy vendeve po shtohet gjithmonë e më shumë mundësia e një konflikti të armatosur.
Në një letër të hapur për gazetën më të madhe gjermane, BILD, ish-kampioni i botës në pesha të rënda në boks, Vitali Klitschko shkruan se ai është gati të luftojë për vendin e tij.
Ukrainasi Klitschko është kryebashkiak i kryeqytetit Kiev që prej vitit 2014.
“Ne po përgatitemi në mbarë Ukrainën që presidenti rus, Vladimir Putin të japë urdhrin e luftës dhe që trupat ruse të sulmojnë Ukrainën siç bënë në vitin 2014.
Në qytetin, në Kiev po përgatitemi për një emergjencë të mundshme. Unë si kryebashkiak po organizoj mbrojtjen civile. Ne kemi intensifikuar punën për të rekrutuar dhe stërvitur rezervistët.
Si ushtar, dikur jam betuar se do të mbroj vendin dhe tani jam gati që të luftoj për mëmëdheun,” shkruan ai.
“Gjermania duhet ta kuptojë: situata është shumë, shumë serioze. Putini ka mbledhur më shumë se 100 mijë ushtarë rusë pranë kufijve tanë, një kërcënim i paprecedent. Ka disa skenarë se si ushtria ruse mund të sulmojë Ukrainën dhe ne jemi të përgatitur për të gjitha”.
Në fund të letrës së tij, ish-boksieri kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët dhe mbështetje ushtarake.
“Ne nuk duam luftë, ne duam paqe. Ne nuk do të lejojmë Rusinë që të na kthejë mbrapsht në perandorinë Sovjetike, në të cilën populli ukrainas nuk do të jetë më pjesë. Ne jemi një vend evropian dhe kemi nevojë për mbështetjen evropiane më shumë se kurrë”.
Rruga Press