Bota

Teknologjia forcon sigurinë e grave në rrugë

Sipas sondazheve të fundit nga Zyra për Statistikat Kombëtare, gjysma e grave janë ndier të pasigurta gjatë një momenti kur kanë ecur në errësirë.

Ato mund ta telefonojnë një mik, ta tregojnë vendndodhjen e tyre në WhatsApp, ose të mbajnë çelësat në dorë- të gjitha këto strategji për të qenë të sigurta.

Ngacmimet seksuale ndaj femrave kanë qenë në qendër të vëmendjes për pjesën më të madhe të këtij viti, me gra në të gjithë Britaninë, duke iu drejtuar metodave të tyre të ndryshme për t’u ndier më mirë kur janë jashtë gjatë natës.

Pra, a mundet teknologjia të ketë rol për t’i bërë gratë të ndihen më të sigurta në rrugët tona?

Që nga vrasjet e Sarah Everard dhe Sabina Nessa, aplikacioni WalkSafe ka pasur një rritje në popullarizim dhe tani është aplikacioni i sigurisë që po rritet më së shpejti në Britani.

Themeluesja Emma Kaye erdhi me këtë koncept pasi kishte përjetuar ngacmim, prekje dhe flashing.

“Aplikacioni ynë është me të vërtetë i ëmbël e i hidhur, sepse sigurisht që na pëlqen të jemi të zëna. Sidoqoftë, ne nuk donim që ky të ekzistonte. Askush nuk dëshiron të jetojë në një botë ku na duhet një aplikacion i sigurisë, mirëpo për fat të keq ka vend për të”, ka thënë ajo.

WalkSafe do të ketë një veçori të re sat-nav në fillim të vitit që po vjen, e cila do të përfshijë një hartë të drejtpërdrejtë ku familja dhe miqtë tuaj do të kenë mundësinë ta përcjellin udhëtimin tuaj dhe të bisedojnë me ju në kohë reale. Tani për tani pika e saj unike është një hartë, e cila i lejon njerëzit të planifikojnë rrugën më të sigurt për në shtëpi, duke parë të dhënat e fundit të krimit.

“Aplikacioni ynë i inkurajon njerëzit të marrin masa parapake për ta shmangur krimin, në vend të masave reaksionare kur janë në një situatë të keqe”.

“Ne kemi ish-detektivë të lartë të Policisë Metropolitane e analistë të krimit që i analizojnë këto të dhëna dhe i kategorizojnë ato në zona që përdoruesi do të dëshironte t’i dinte. Duke parë modelet e krimit, përdoruesit mund t’i identifikojnë pikat e krimit e në këtë mënyrë ata mund të planifikojnë rrugë më të sigurta”, ka shpjeguar zonja Kaye.

Lexo më shumë  Rafineria ruse e naftës pezullon funksionimin pas “sulmit me dronë ukrainas”

Që nga lansimi, në mars të këtij viti, ky aplikacion ka marrë më shumë se 560.000 shkarkime.

Në Universitetin e Bath-it, studiuesit po përpiqen të zgjidhin problemin e produkteve të sigurisë të cilat është shumë vështirë të aktivizohen fizikisht. Ata po e zbulojnë një aplikacion në orët e mençura për gra, që quhet Epowar, i cili mund të dërgojë alarme nëse ndien që përdoruesi është në rrezik- duke i mbikëqyrur rrahjet e zemrës dhe lëvizjet e trupit.

Bashkëthemeluesja, studentja E-J Roodt, ka thënë se ideja i erdhi teksa po vraponte në një park me ndriçim të dobët dhe shqetësohej për rrezikun e një sulmi.

“Kur pashë që orët inteligjente po përdoreshin për të identifikuar sulmet në zemër, mendova: epo mirë, ndoshta kjo teknologji mund të aplikohet edhe për sigurinë e grave”, ka treguar ajo.

Megjithëse madhësia e mostrës është e vogël, aplikacioni përdor inteligjencën artificiale për të njohur shqetësimin, dhe reagon nëse një përdorues është sulmuar kur po ecte a vraponte vetëm.

“Na ka shkuar në mendje që një orë inteligjente me këtë aplikacion mund të jetë një mënyrë për t’i alarmuar të tjerët nëse një grua është në vështirësi”, ka sqaruar zonja Roodt.

“E rëndësishmja është se gjithçka ndodh automatikisht, dhe sulmuesi do të kishte pak ose hiç kohë për ta parandaluar këtë- që nuk është gjithmonë e mundshme me butonët konvencionalë të panikut a me alarmet e dhunimit në telefonin tuaj mobil”.

Themeluesi i aplikacionit bSafe për orë inteligjente, Rich Larsen, beson se teknologjia e tij mund të ndihmojë në ndjekjet penale.

Ka një veçori në alarm i cili aktivizohet me zë. Më pas fillon automatikisht transmetimin e drejtpërdrejtë të videos dhe audios në kontaktet e përzgjedhura, dhe regjistron çfarëdo që po ndodh.

“Këto incizime mund të përdoren si dëshmi në çështjet gjyqësore- sikurse dhunimi- i cili shpesh është vështirë të dëshmohet”, ka theksuar Z.Larsen.

Lexo më shumë  Vulini: Kush mendon keq për Putinin, mendon keq edhe për Vuçiqin

Këto veçori të aplikacionit janë bazuar nga përjetimi i vajzës së tij, Charlen, që ishte dhunuar. Charlen, e cila ka hequr dorë nga e drejta e saj për anonimitet në mënyrë që të flasë për çështjen e saj, mendon se po të kishte një bSafe nuk do t’i duhej të luftonte aq shumë me fajin dhe turpin që ajo ndiente.

Të dhënat e Crown Prosecution Service për vitin 2020 tregojnë se nga 58.845 dhunime të regjistruara, vetëm 2102 u ndoqën penalisht, e 1439 që rezultuan me dënime.

bSafe ka qenë gjithashtu edhe interes për kompanitë e tjera të aplikacioneve. “Aktualisht jemi duke zhvilluar një platformë API, në mënyrë që t’i zbatojmë lehtësisht këto veçori edhe në aplikacione të tjera”, ka sqaruar Z.Larsen.

Në korrik, Home Office ka lansuar 5 milionë funte për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë së grave në hapësira publike gjatë natës. Disa nga ofertat e suksesshme përfshijnë iniciativat që përfshijnë teknologjinë.

Për shembull, policia e Bristolit po përdor vegla të reja për të testuar nëse pijet kanë qenë të kontaminuara në klubet e natës.

Teknologjia, po ashtu, mund të përdoret edhe nga ata që kërkojnë të dëmtojnë a frikësojnë njerëzit. Pra, e njëjta teknologji që ju lejon të gjeni telefonin tuaj të mençur mund të përdoret nga dikush që dëshiron ta gjurmojë apo ndjekë dikë.

Rachel Horman-Brown, kryetare e organizatës bamirëse, ka thënë se “shumë viktima gjurmohen dhe mbikëqyren prej telefonave a tabletëve të tyre nga spiunët”.

Përhapja e pajisjeve gjurmuese, si Apple AirTags ose The Tile, të cilët mund t’ju ndihmojnë të gjeni portofolin, çelësat ose valixhen tuaj, po ashtu kanë rritur frikën e përndjekjes.

Këto pajisje të vogla e jo të shtrenjta mund ta bëjnë shumë të lehtë për një ndjekës të fshehët në makinën e viktimës ose në pronat personale, dhe me pas të ketë mundësinë të gjurmojë vendndodhjen e viktimës”, ka shpjeguar znj. Horman-Brown./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *