Sport

PESHËNGRITJE/ Kërkon historinë në peshën e re 73 kg, Erkand Qerimaj gati për Botërorin: Rezultatet, premtuese për medalje

Dita e sotme do të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po mbahet në Uzbekistan, pasi radhën për të garuar do ta kenë dy “big”-ët e Kombëtares, siç janë Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, nga të cilët pritshmëritë janë shumë të larta. Qerimaj në këtë kampionat vjen me një risi të madhe, pasi do të konkurrojë në një peshë të re, në atë 73 kg.

Shtangisti shkodran që pas Olimpiadës së Tokios është stërvitur jashtëzakonisht fort, ndërsa ka humbur shumë kile për të qenë pjesë në kategorinë e re. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Erkand Qerimaj flet në prag të garës së tij në Tashkent:

“Këtë herë vij me një ndryshim në peshë, pasi siç dihet do të garoj në kategorinë 73 kg. Një ndryshim që të them të drejtën është pak i vonuar për mua, pasi duhet ta kisha më parë. Vendosa që pas Olimpiadës së Tokios të heq gati 9 kg nga pesha ime trupore. Normalisht që jam stërvitur fort dhe me rezultatet që kam regjistruar në stërvitje jam në një nivel shumë të lartë”, shprehet kampioni kuqezi.

Presidenti i federatës, Elez Gjoza, gjithashtu konfirmoi disa ditë më parë në një intervistë për gazetën, se ka pritshmëri shumë të larta shtangisti shkodran, e këtë gjë e konfirmon edhe vetë Qerimaj, i cili synon një vend në podium: “Me ndryshimin e peshës, qëllimi im është që të shkoj shumë më lart në renditje se në Lojërat Olimpike.

Më pas, në garë lufta do të jetë e hapur. Me rezultatet që kam realizuar në stërvitje, ku kam kapur 340 kg në dygarësh, mund të them që mundësitë janë të mëdha edhe për një vend mes tre apo pesë sportistëve më të mirëve të botës. Pothuajse jemi të gjithë aty-aty me rezultatet, tani mbetet për t’u parë se si do të shkojë gara, por për të qenë i sinqertë nuk është se shikoj ndonjë kundërshtar më lart. Tani uroj që çdo gjë të shkojë mbarë”.

Për të kapur këtë nivel, Qerimaj nuk i ka ndalur për asnjë moment stërvitjet, pasi që prej fundit të Olimpiadës, në kokën e tij ka pasur vetëm një mendim, Botërorin: “Kam që pas Lojërave Olimpike që stërvitem intensivisht. Çdo gjë ka shkuar shumë mirë, normalisht kuptohet kam pasur edhe shqetësime apo dhimbje muskujsh, pasi është e pritshme, por jam shumë i kënaqur nga përgatitjet. Rezultatet e fundit që kam realizuar më kanë lënë shumë të kënaqur.

Jam i motivuar në maksimum dhe shpresoj vetëm të përsëris në Botëror atë formë që kam treguar gjatë këtyre kohëve në stërvitje”, përfundoi 33-vjeçari. Kujtojmë që Bateria A e kategoria 73 kg, ku bëjnë pjesë Qerimaj dhe Calja, do t’i nisë garat sot në orën 15:00 me të Shqipërisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *