Shorti i Euro 2022-23/ Shqipëria U17 mëson rivalët, spikat Kroacia
Shqipëria U17, e drejtuar nga Ervin Bulku, ka mësuar emrat e skuadrave kundërshtarë në kualifikueset e Europianit 2022/23. Kuqezinjtë pozicionohen në grupin 7 me rivalë si Suedia, Kroacia Uellsi.
Ndeshjet do të zhvillohen më 20, 23 dhe 26 tetor 2022 në Kroaci. Dy vendet e para kalojnë në “Elite Round”, si dhe e treta më e mirë në 13 grupet e kualifikueseve. Faza finale e këtij kompeticioni mbahet në Hungari në maj të vitit 2023.
Trajneri Ervin Bulku për fshf.org ka thënë në lidhje me shortin dhe objektivat: “U njoha me shortin e Europianit, patjetër që janë rivalë shumë të fortë. Të gjitha ekipet që marrin pjesë janë të një niveli shumë të lartë. Do të vijojmë punën e nisur prej kohësh për t’u përgatitur sa më mirë për këtë turne dhe për të konsoliduar grupin e lojtarëve.
Detyra jonë fillimisht është të seleksionojmë lojtarët më të mirë shqiptarë të kësaj grup-moshe që luajnë kudo nëpër botë dhe të zbulojmë sa më shumë elementë të talentuar, duke i promovuar më pas në ekipet kombëtare të moshave”.
“Objektivi është që të përballemi si të barabartë me çdo kundërshtar dhe do të përpiqemi të marrim sa më shumë pikë. Është një mundësi e mirë për djemtë që të përballen me rivalë të tillë që në këtë moshë e të marrin eksperiencë dhe të përshtaten, pasi është shumë e vlefshme për të ardhmen. Sigurisht do të punojmë shumë gjatë kësaj periudhe dhe do të japim maksimumin në fushë”.
Rruga Press