Bota

Ushtria e Mianmarit akuzohet se vrau 11 persona

Ushtarët e Mianmarit po akuzohen se kanë qëlluar me armë zjarri 11 persona dhe më pas kanë djegur trupat e tyre, kanë thënë banorët lokalë të një fshati në qendër të shtetit, ku dyshohet se u krye ky krim.

Mbetjet mortore, të shkrumbuara, u gjetën në fshatin Sagaing, një zonë ku janë zhvilluar luftime të ashpra ndërmjet forcave të sigurisë dhe milicisë, që po kundërshton puçin ushtarak të 1 shkurtit. Banorët thanë se disa prej viktimave ishin ende gjallë kur u dogjën.

Videot e trupave të djegur u publikuan në rrjetet sociale dhe nga disa media në Mianmar.

Junta ushtarake e Miamarit ende nuk ka komentuar për këto raportime.

Një vullnetar i ndihmës, që nuk pranoi të identifikohej, tha se trupat hynë në fshatin Don Tav mëngjesin e së martës dhe viktimat u vranë rreth orës 11:00.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

“Ushtria vrau brutalisht këdo që e gjeti”, tha ai, duke shtuar se ende është e paqartë nëse viktimat ishin pjesëtarë të milicisë apo civilë.

Mianmari është në kaos që prej se ushtria rrëzoi nga pushteti Qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Aung San Suu Kyis. Puçi i 1 shkurtit nxiti protesta masive dhe formimin e milicisë, që njihet me emrin Forcat për Mbrojtjen e Popullit.

Kyaw Wunna, anëtar i Forcave të Mbrojtjes së Popullit, tha se kur ushtria arriti në fshat filloi që të shtinte me armë dhe ndaloi disa persona, të cilët i dërgoi në një fushë pranë fshatit, para se t’i vriste.

Një tjetër punëtor i ndihmës tha se rreth 3,000 persona u larguan nga pesë fshatra përreth nga frika e arrestimeve dhe vrasjeve.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Një familjar ka identifikuar një viktimë si Htet Kok, 22 vjeç, i cili ishte student dhe nuk i përkiste asnjë milicie dhe nuk ishte i armatosur.

“Kjo është çnjerëzore”, tha ky i afërm, i cili kishte tentuar që të largohej kur ushtria hyri në fshat, por u plagos nga junta.

Dr Sasa, zëdhënës i qeverisë në hije civile të Mianmarit, që u krijua pas puçit, pretendoi se viktimat “ishin torturuar dhe më pas u dogjën të gjallë”.

Ai publikoi në rrjetet sociale një listë emrash, që tha se ishin 11 viktimat, që të gjithë meshkuj, përfshirë edhe një djalë 14 vjeç.

Shoqata për Ndihmë të të Burgosurve Politik ka thënë se mbi 10,700 civilë janë arrestuar dhe 1,300 janë vrarë nga forcat e sigurisë, që prej se ushtria mori pushtetin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *