Gabriel Escobar në Tiranë para Kuvendit të Berishës, ambasada e SHBA: Luftë korrupsionit
mbasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur axhendën e Gabriel Escobar i dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor që do të vizitojë Tiranë pas dy ditësh.
Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka.
Sipas ambasadës së SHBA ai do të konfirmojë mbështetjen e SHBA për demokracinë në Shqipëri, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
“Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.
Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në postimin e ambasadës.
Vizita e Escobar në Tiranë përkon dy ditë para Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA pak muaj më parë. Kreu i PD Lulzim Basha ka vendosur pezullimin e Berishës nga Partia Demokratike deri në sqarimin e plotë të kësaj çështje për të cilën ish kreu i PD ka hapur gjyq në një gjykatë në Paris.
Rruga Press