Akuzohet për korrupsion komisioneri që ia kërkonte Kosovës luftimin e kësaj dukurie
Komisionieri i Bashkimit Evropian, që për shumë vjet i kërkoi Kosovës luftimin e korrupsionit dhe ratifikimin e demarkacionit për të marrë liberalizimin e vizave, po akuzohet se vetë ka kryer vepra korruptive.
Johannes Hahn thuhet se ka pranuar udhëtime gjuetie dhe ftesa për darkë nga lobistët pa i raportuar në zyrat përkatëse, raporton gazeta franceze “Liberation”. Vetë Hahni i ka mohuar akuzat. Sipas gazetës franceze, Hahni i ka pranuar ftesat e lobistëve për udhëtime gjuetie dhe ushqime të shtrenjta pa e raportuar këtë.
Hahn mori pjesë në një festë gjuetie në dhjetor të vitit 2015, e cila u pagua nga lobi belg i Pronarëve të Tokave (ELO). Sipas “Liberation”, ai ishte i detyruar ta regjistronte pjesëmarrjen në Komision, sipas kodit të mirësjelljes.
Një zëdhënës i Hahnit ka thënë se ftesa nga komisioneri i BE-së ishte “thjesht e një natyre private”. Ai merrte pjesë në shoqërinë e ish-bashkëshortes në atë kohë, e cila kishte leje gjuetie. Prandaj nuk ishte e nevojshme që kjo të futej në regjistrin e transparencës, sipas tij.
Hahni ka qenë Komisioner i BE-së për Zgjerim në periudhën 2014-2019. Ai vazhdimisht pati premtuar liberalizimin e vizave për Kosovën, teksa e përmendte korrupsionin si një nga sfidat që duhet përmbushur për të përfituar liberalizimin. Madje ai e kërkoi dikur edhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi si “kushti i fundit” për liberalizim.
Në shkurt të vitit 2016, Hahni në seancën plenare të Parlamentit Evropian, teksa fliste për zhvillimet e asaj kohe në Kosovë, mes tjerash e kishte përmendur papunësinë, mungesën e zhvillimit ekonomik, krimin e organizuar dhe korrupsionin, si një ndër sfidat kryesore që përballet vendi, duke rekomanduar përkushtim më të madh në këto fusha.
Hahn nuk ishte shprehur i kënaqur edhe me pavarësinë që i mungon sistemit gjyqësor në Kosovë, derisa rekomandonte institucionet vendore në implementimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë.
“Raporti ynë për vitin 2015 konfirmon se Kosovës i duhen reforma strukturale për të trajtuar sfidat kryesore të reformave ekonomike. Papunësia është në mënyrë të papranueshme e lartë dhe zhvillimi ekonomik nuk është i mjaftueshëm. Më shumë përkushtim duhet për të arritur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; i njëjti vlerësim shkon edhe për pavarësimin dhe kapacitetet e gjyqësorit. Përmirësimet në këto fusha do duhej të mundësonin një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës”, kishte thënë ai.
Hahn tash është komisioner evropian për buxhet dhe administratë.
Rruga Press