Opinion/Aktualitet

9 Shkurti – Një moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës

Agim A Krasniqi

Zgjedhjet e 9 shkurtit, shënojnë momentin kyç për të ardhmen politike të Kosovës. Qeverisja e udhëhequr nga z. Albin Kurti ka ndërmarrë një kurs të guximshëm reformash, sfiduar praktikat e vjetra klienteliste dhe kultivimin e qëndrimit të prerë, ndaj presioneve të jashtme që shpesh kërkojnë kompromise të dëmshme për interesat e vendit. Në këtë kontekst, fitorja e z. Kurti nuk është thjesht një sukses elektoral, por një mundësi për të vijuar reformat dhe për të garantuar stabilitetin politik dhe ekonomik të Kosovës.

1. Reforma në administratën publike dhe forcimi i meritokracisë

Një nga prioritetet kryesore të qeverisë aktuale ka qenë depolitizimi i administratës publike dhe përmirësimi i saj përmes një sistemi meritokratik të rekrutimit dhe promovimit të stafit. Kjo nismë është parë si një hap vendimtar për të siguruar një administratë efikase dhe të përgjegjshme, që vepron në interes të qytetarëve dhe jo të grupeve të interesit politik. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për reforma, ky proces nuk ka qenë i lehtë dhe ka hasur pengesa të konsiderueshme.

Në disa raste, ministri dhe agjenci të ndryshme janë akuzuar për nepotizëm dhe ndërhyrje politike në proceset e emërimeve dhe të rekrutimit, duke cenuar kështu përpjekjet për ndërtimin e një administrate meritokratike. Këto ndërhyrje jo vetëm që dëmtojnë integritetin e administratës, por ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e implementimit të reformave dhe në arritjen e rezultateve të synuara strategjike. Vendosja e personave të pa kualifikuar dhe me mungesë të përvojës në pozita kyçe drejtuese ul efikasitetin e administratës dhe ndikon negativisht në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2024 ka theksuar se politizimi i vazhdueshëm i administratës publike dhe mungesa e një sistemi të mirëfilltë të rekrutimit në bazë të meritës rrezikon të frenojë procesin e reformave dhe të ulë besueshmërinë e institucioneve shtetërore. Për më tepër, mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme teknokratike e bën të vështirë zbatimin e politikave të mëdha që synojnë transformimin e sektorëve kyç në vend.

Në këtë drejtim, është e domosdoshme që reformat të mbështeten nga një kornizë ligjore dhe institucionale më të fuqishme, të cilat garantojnë pavarësinë e administratës publike dhe ndalojnë ndërhyrjet politike në proceset vendimmarrëse. Strategjia e Reformës së Administratës Publike 2022-2027, me objektivin e saj të përgjithshëm për planifikimin dhe koordinimin e politikave të orientuara drejt rezultateve, duhet të shërbejë si udhërrëfyes për të gjitha institucionet. Zbatimi i kësaj strategjie kërkon që në pozitat udhëheqëse të emërohen individë me përvojë dhe njohuri profesionale, të cilët janë në gjendje të drejtojnë në mënyrë efektive proceset komplekse të reformave.

Për të parandaluar që praktikat e së kaluarës të rikthehen, është thelbësore që të ndërmerren hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e monitorimit të pavarur të procesit të rekrutimit dhe për të rritur transparencën në procedurat e brendshme të administratës. Kjo do të krijojë një ambient ku profesionistët dhe teknokratët ndihen të vlerësuar dhe të motivuar për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e shtetit.

Pra si konstatim, depolitizimi i administratës publike dhe përqendrimi në meritokraci, janë parakushte të domosdoshme për të ndërtuar një shtet funksional dhe të besueshëm, në anën tjetër, forcon besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në institucionet e Kosovës.

2. Dialogu Kosovë-Serbi dhe mbrojtja e sovranitetit

Dialogu me Serbinë ka qenë dhe mbetet një nga sfidat më të mëdha për Kosovën. Qeveria Kurti ka ndërmarrë një sërë masash konkrete për të shtrirë sovranitetin e plotë në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në veri të Kosovës, ku tensionet kanë qenë më të larta, siç edhe dihet. Disa nga këto veprime përfshijnë largimin e targave ilegale serbe dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb si monedhë zyrtare në këtë rajon. Këto masa synojnë të forcojnë ligjshmërinë dhe të promovojnë përdorimin e simbolikës shtetërore në të gjithë territorin e Kosovës. Për më tepër, qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në pamundësimin e veprimit të grupeve të krimit të organizuar në veri, të cilat shpesh kanë qenë të lidhura me strukturat paralele serbe. Një nga veprimet më të rëndësishme dhe më të suksesshme në këtë drejtim ishte operacioni i sigurisë në Banjskë, ku institucionet e sigurisë së Kosovës arritën të shpartallojnë një grup të armatosur dhe të konfiskojnë një sasi të madhe armatimi të rëndë. Ky grup i armatosur, i cili synonte destabilizimin dhe aneksimin e veriut të Kosovës, përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për rendin dhe sigurinë në vend e më gjerë.

Një tjetër veprim i rëndësishëm ishte ndërhyrja në rastin e sulmit ndaj infrastrukturës kritike të ujësjellësit në Iber Lepenc, ku sërish institucionet e sigurisë reaguan me vendosmëri, duke parandaluar veprimet e mëtejshme të grupeve kriminale dhe duke mbrojtur interesat strategjike të vendit. Këto veprime kanë treguar se Kosova është e gatshme dhe e aftë të mbrojë sovranitetin e saj dhe të vendosë rend në çdo pjesë të territorit.

Qëndrimi i prerë i qeverisë kundër krijimit të një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive ka gëzuar mbështetje të gjerë nga qytetarët. Ky qëndrim shihet si mbrojtje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nëse në këtë proces do të bëheshin lëshime të dëmshme, rreziku nuk do të kufizohej vetëm në humbjen e unitetit territorial, por edhe në destabilizimin e rendit kushtetues të vendit.

Lexo më shumë  Forca e Votës dhe Pesha e Reformës

Përkundër këtyre përpjekjeve, opozita ka kritikuar vazhdimisht këto masa, duke u deklaruar pro pranimit të Asociacionit. Ky qëndrim i opozitës sugjeron një mungesë vizioni të qartë sa i përket mbrojtjes së interesave kombëtare. Një qëndrim i tillë mund të rrezikojë të gjitha arritjet e deritanishme, duke krijuar hapësirë për destabilizim politik dhe ndërhyrje të jashtme.

Për këtë arsye, është e domosdoshme vazhdimësia e kësaj politike dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete në funksion të interesit shtetëror. Ruajtja e sovranitetit dhe forcimi i rendit kushtetues kërkon jo vetëm qëndrueshmëri në qëndrimet politike, por edhe një angazhim të vazhdueshëm në zbatimin e masave që garantojnë integritetin e plotë territorial dhe funksionalitetin e institucioneve shtetërore në çdo pjesë të vendit. Çdo devijim nga ky kurs do të rrezikonte të minonte stabilitetin e arritur dhe do të krijonte një situatë të ngjashme me atë të vendeve që vuajnë nga ndasitë etnike dhe politike. Veprimet e ndërmarra deri tani tregojnë qartë një përkushtim të vazhdueshëm në mbrojtje të sovranitetin dhe për të siguruar që çdo cep i vendit të jetë nën kontrollin efektiv të institucioneve të Kosovës. Prandaj, çdo përpjekje për të ndryshuar këtë kurs duhet të shihet si një kërcënim serioz ndaj stabilitetit dhe të ardhmes së vendit.

3. Stabiliteti politik dhe zhvillimi ekonomik – një binom i domosdoshëm

Ndryshimet e shpeshta të qeverive në të kaluarën, kanë ndikuar negativisht në vijueshmërinë e politikave strategjike dhe kanë krijuar pasiguri të theksuar për investitorët, duke penguar kështu zhvillimin e sektorëve kyç të ekonomisë. Në këtë drejtim, qeveria e udhëhequr nga z. Kurti ka ruajtur një stabilitet relativ politik, i cili ka mundësuar zbatimin e disa reformave të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjen e prodhimit vendor.

Një nga elementët kyç të kësaj qeverisjeje ka qenë forcimi i mekanizmave antikorrupsion dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për parandalimin e korrupsionit. Veprime konkrete përfshijnë ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, forcimin e rolit të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe krijimin e mekanizmave më të fuqishëm për monitorimin e integritetit institucional. Këto reforma janë në përputhje me Strategjinë e Reformës së Administratës Publike 2022–2027, e cila ka si objektiv të përgjithshëm planifikimin dhe koordinimin e politikave të orientuara drejt rezultateve dhe rritjen e transparencës institucionale.

Një tjetër masë e rëndësishme ka qenë fuqizimi i sistemeve të raportimit dhe kontrollit të brendshëm, që synojnë të reduktojnë korrupsionin në nivel vendor dhe qendror. Ky angazhim ka marrë vlerësime pozitive në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2024, ku evidentohet përmirësime në disa tregues kyç të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.

Megjithatë, ekzistojnë ende sfida të konsiderueshme që lidhen me emërimin e individëve jo adekuatë dhe jo profesionalë në pozita drejtuese, një fenomen që është identifikuar si pengesë kryesore në zbatimin e suksesshëm të reformave. Vendosja e personave të pakualifikuar dhe e lidhur politikisht në funksione kyçe mund të ndikojë negativisht në cilësinë e vendimmarrjesimplementimin e politikave publike dhe realizimin e rezultateve strategjike. Kjo praktikë minon përpjekjet për të krijuar një administratë publike profesionale dhe meritokratike, duke kufizuar gjithashtu mundësitë për teknokratët dhe profesionistët e kualifikuar, të cilët janë të domosdoshëm për realizimin e një reforme të suksesshme.

Nga ana tjetër, stabiliteti politik është parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, si energjia, bujqësia dhe teknologjia. Kosova ka potencial të madh për të tërhequr investime në këto fusha, por vetëm përmes një qeverisjeje të qëndrueshme dhe të orientuar drejt rezultateve mund të krijohet një klimë e favorshme për investitorët. Shembulli i vendeve si Estonia, të cilat përmes reformave të thella në administratë dhe luftës kundër korrupsionit kanë arritur të përmirësojnë treguesit ekonomikë dhe të tërheqin investime strategjike, tregon se një angazhim i vazhdueshëm në këtë drejtim është jetik për zhvillimin afatgjatë të Kosovës.

Stabiliteti politik dhe zhvillimi ekonomik përbëjnë një binom të pandashëm, ku njëri element përforcon tjetrin. Për të siguruar një progres të qëndrueshëm dhe për të shmangur rikthimin në një situatë të paqëndrueshmërisë politike dhe stagnimit ekonomik, është e domosdoshme që qeveria të vijojë me përkushtim reformat e nisura, të fuqizojë kapacitetet institucionale dhe të avancojë politikat pro-biznesit. Kjo do të mundësojë jo vetëm përmirësimin e indikatorëve ekonomikë, por edhe krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

4. Roli i opozitës dhe nevoja për balancë politike

Roli i opozitës në demokracitë funksionale është esenciale për të siguruar një qeverisje të përgjegjshme dhe llogaridhënëse. Në rastin e Kosovës, zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar se demokracia po profilizohet si një sistem i pjekur, ku ndërrimi i pushtetit është realizuar në përputhje me standardet demokratike. Kjo tregon jo vetëm një përmirësim në proceset zgjedhore, por edhe forcimin e institucioneve të cilat garantojnë legjitimitetin dhe integritetin e tyre.

Lexo më shumë  Forca e Votës dhe Pesha e Reformës

Megjithatë, sfida kryesore për opozitën mbetet krijimi i një alternative të besueshme dhe të reformuar. Aktualisht, shumica e partive opozitare mbeten të lidhura me figurat politike të së kaluarës, të cilat për qytetarët përfaqësojnë një periudhë të errët të korrupsionit, pa përgjegjësisë dhe mungesës së llogaridhënies. Mungesa e një alternative së re dhe të besueshme, ka bërë që një pjesë e madhe e publikut të mos shohë në opozitë një opsion të vërtetë për ndryshim.

Një fitore e qeverisë Kurti nuk duhet parë si një monopolizim i pushtetit, por si një mundësi për konsolidimin e një sistemi të ri politik, i cili e vendos në qendër interesin publik dhe ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme. Për ta bërë këtë të mundur, është e rëndësishme që qeveria të ruajë transparencën dhe të jetë e hapur ndaj kritikave dhe sugjerimeve konstruktive nga ekspertët e fushave të caktuara, opozita dhe shoqëria civile.

Nga ana tjetër, opozita duhet të reformohet dhe të rishikojë qasjen e saj politike. Një opozitë konstruktive, që ofron politika alternative dhe ndihmon në përmirësimin e politikave të qeverisë, është jetike për demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë dhe forcimin e institucioneve demokratike. Vetëm përmes këtij balancimi të shëndetshëm politik, ku qeveria është e fokusuar në zbatimin e politikave efektive dhe opozita luan rolin e saj mbikëqyrës, mund të sigurohet qeverisje cilësore dhe një zhvillim i qëndrueshëm i vendit.

Zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar një përparim të rëndësishëm në procesin demokratik të Kosovës, duke reflektuar konsolidimin institucional dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për rolin vendimtar të pjesëmarrjes politike. Në këto zgjedhje prites një pjesëmarrje e lartë qytetare, që mund t’i afrohet shifrës prej 1 milion votuesish, duke dëshmuar gatishmërinë e qytetarëve për të marrë përgjegjësinë e tyre, në formësimin e të ardhmes politike të vendit. Megjithatë, për të siguruar zhvillimin e mëtejshëm demokratik, ky progres duhet të shoqërohet me hartimin dhe zbatimin e politikave publike të bazuara në evidencë dhe një opozitë që vepron si forcë konstruktive, duke mbajtur qeverinë llogaridhënëse dhe promovuar transparencën. Një sistem politik i ekuilibruar, ku opozita ofron alternativa të qëndrueshme dhe kontribuon në forcimin e praktikave demokratike, është një komponent kyç për të ardhmen e Kosovës si shtet demokratik, funksional dhe i qëndrueshëm

5. Një mundësi për të shkruar një kapitull të ri politik

Zgjedhjet e 9 shkurtit përfaqësojnë një moment kyç për të ardhmen politike të Kosovës, duke ofruar një mundësi të rëndësishme për të konsoliduar reformat e nisura dhe për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, të drejtë dhe të orientuar drejt zhvillimit afatgjatë. Fitorja e z. Kurti nuk është vetëm një akt politik, por një domosdoshmëri strategjike me qëllim të ruajtjes së stabilitetit politik, për të avancuar interesat kombëtare në dialogun me Serbinë dhe për të forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërkaq, çdo fitore politike duhet të përmbajë në vete një moment reflektimi mbi sfidat dhe gabimet e së kaluarës. Qeverisja efektive kërkon jo vetëm ruajtjen e vazhdimësisë së reformave, por edhe përmirësimin e politikave dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies. Për të arritur këtë, është jetike që të mbahen parimet e transparencës, meritokracisë dhe të përfshirjes së gjerë të profesionistëve dhe shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes.

Kosova ndodhet në një pikë kthese ku qeverisja e qëndrueshme dhe stabiliteti politik janë parakushte për të tërhequr investime të huaja, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të siguruar një zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës. Një proces i tillë kërkon një angazhim të përbashkët, ku jo vetëm qeveria, por edhe opozita dhe shoqëria civile të luajnë rolin e tyre konstruktiv në ruajtjen e balancës demokratike dhe përmirësimin e cilësisë së qeverisjes.

Në këtë kontekst, një fitore e qeverisë aktuale, mund të shërbejë si një katalizator për një kapitull të ri politik, i cili ndërtohet mbi themelet e një shteti të qëndrueshëm dhe të drejtë. Nëse vazhdohet në këtë drejtim, Kosova ka potencialin të forcojë më tej sovranitetin e saj dhe të bëhet një model i suksesshëm i një shteti të vogël, por të fortë në rajon.

Në të kundërtën, një ndërprerje e këtij procesi dhe kthimi në modelet e vjetra të qeverisjes klienteliste dhe të paaftësisë institucionale, do të sillte rrezikun e një përkeqësimi të situatës politike dhe ekonomike. Për këtë arsye, qytetarët e Kosovës kanë një rol vendimtar në përcaktimin e të ardhmes së tyre, përmes një zgjedhjeje e cila garanton jo vetëm stabilitetin politik, por edhe vazhdimësinë e reformave demokratike dhe ekonomike të filluara.

Pra në këto zgjedhje, qytetarët e Kosovës e kanë në dorë të vendosin për vazhdimin e një qeverisjeje që ka treguar vizion, guxim dhe përkushtim për ndryshim. Në një moment kaq të rëndësishëm për vendin, pjesëmarrja masive në votime është e domosdoshme për të garantuar legjitimitetin e qeverisë së ardhshme dhe për të siguruar që reformat e nisura të mos mbeten përgjysmë. Vetëm përmes një përfshirjeje aktive dhe një zgjedhjeje të ndërgjegjshme, mund të arrihet synimi për një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme./ISHGJ

Rruga Press

YouTube player