50 filma do të shfaqen në “Art Without Limit International” nga 1-3 dhjetor në Prishtinë
Edicioni i dytë i “Art Without Limit International”, i vetmi festival në Ballkan ku të gjithë filmat në program kanë për temë personat me aftësi të kufizuar, do të mbahet nga data 1 deri 3 dhjetor në Prishtinë.
Festivali është organizuar nga një grup i grave artiste dhe OJQ “Art Without Limit”.
Shumë filma nga 80 vende të botës kanë aplikuar për të qenë pjesë e programit të festivalit, ndërsa janë përzgjedhur 50 prej tyre për t’u shfaqur në konkurrencë zyrtare.
Më 1 dhjetor në ora 18:00 bëhet hapja zyrtare e festivalit në Kino Armata në Prishtinë me premierën vendore të dokumentarit të shkurtër “Light Sparks”.
Më 2 dhjetor do të shfaqen filmat konkurrues në Kino Armata në Prishtinë, ndërsa më 3 dhjetor, në orën 18:00, do të bëhet ceremonia e ndarjes së çmimeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Juria kryesore e festivalit përbëhet nga aktorja Yllka Gashi, presidente e jurisë, Cristiano Palozzi – drejtor i Genova Film Festival, Itali, Agron Domi – Drejtor i Tirana International Film Festival (I kualifikuar në Academy Awards), Donna Russo – Aktore dhe balerinë (person me aftësi të kufizuar) nga Amerika, Rolf Killius – regjisor, producent dhe muzikant nga Anglia Lou Figueroa – aktor, dhe aktivist për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar nga Amerika.
Në festival do të ndahen 12 ҫmime: për filmin më të mirë artistik, dokumentar, animacion, skenarin, regjinë, kamerën më të mirë, storien më të mirë e cila tregon fuqizimin e gruas, storja më e mirë në film, storja më e mirë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, çmimi special, çmimi i publikut dhe çmimi Art Without Limit (Arti pa limit).
RrugaPress