5 tenderat për Unazën e Re/ ARRSH zgjodhi ofertat 17.4 milionë USD më të shtrenjta
Në 5 nga gjashtë tenderët që janë shpallur fituesit për ndërtimin e pjesës lindore të Unazës së Tiranës, Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Evis Berberi ka pranuar ofertat më të larta.
Efekti ekonomik llogaritet në rreth 17.4 milionë dollarë, në 5 tenderët ku janë prokuruar 97.5 milionë dollarë, denoncoi dje “News 24”. Abuzimi në seri nga ARRSH kryesohet nga tenderi i lotit 6, i cili është fituar nga “Gjoka konstruksion” me rreth 17 milionë dollarë, ndërkohë që para saj janë renditur plot 5 oferta me vlerë më të ulët, e fundit nga “Kevin konstruksion” me afro 12.5 milionë dollarë dhe diferenca mes dy ofertave është plot 4.58 milionë dollarë, ndërkohë ka edhe 4 oferta të tjera të renditura para asaj me vlerë më të ulët.
Po ashtu, në lotin shtatë ARRSH ka zgjedhur ofertën afro 4.53 milionë dollarë më të shtrenjtë. Bashkimi i kompanive fitues “ALKO-Impex” dhe “2T” dhanë një ofertë prej rreth 22 milionë dollarësh, ndërsa janë dy oferta të tjera me vlerë shumë më të ulët, me rreth 18.8 milionë dhe 18 milionë dollarë, përkatësisht nga “ALB Star” dhe “Kevin konstruksion”.
Në lotin katër diferenca mes ofertës më të ulët dhe asaj të shpallur fituese është 3.97 milionë dollarë. Bashkimi i kompanive fituese, “Euroteorema”, “Pevlaku” dhe “Nova konstruksion”, ofroi rreth 20 milionë dollarë, ndërsa “Kevin kostruksion” rreth 16 milionë dollarë, dhe “Alb-star” 16.8 milionë dollarë. Në tenderin për lotin 5, oferta fituese e “G.P.G. COMPANY & SENKA” është afro 18 milionë dollarë, ndërsa poshtë saj ka katër oferta të tjera me të ulëta, e fundit është rreth 14.9 milionë dollarë nga “Kevin konstruksion”, diferenca është afro 3.1 milionë dollarë.
Kurse në tenderin për ndërtimin e segmentit rrugor sheshi “Shqiponja”-Bulevardi i Ri-Shkozë, urat mbi lumin Tirana, diferenca e ofertës fituese dhe asaj më të mirë është rreth 1.27 milionë dollarë. “Alb-star”, që është shpallur kompani fituese, ofroi gati 20 milionë euro, ndërsa “Kevin Konstruksion” kërkoi rreth 18.6 milionë dollarë. Tenderi i vetëm që ka respektuar renditjen e ofertave deri tani është ai i lotit 2. Hijet e dyshimit për tenderët e ARRSH-së për ndërtimin e pjesës lindore të unazës ranë që në fillim me copëtimin në shumë lote të punimeve. Për punime praktikisht të njëjta, ARRSH kishte vendosur kritere të ndryshme për përzgjedhjen e fitueseve.
Skema funksionon duke përjashtuar ofertat më të lira që kanë përparësi ligjore, me justifikime nga më të ndryshmet që i vijnë në ndihmë ARRSH-së për të bërë skualifikimet. Kjo del fare qartë kur shikon se si një kompani që skualifikohet në një tender, shpallet fituese për një tjetër. P. sh., “Alb-star”, që disa herë është shkualifikuar si ofertë më e mirë, ka fituar prej tenderëve për pjesën lindore të Unazës së Re.