Art & Kulturë

40 monumente historike rrezikohen në Berat, qytetarët po shesin shtëpitë historike

Për të folur për Beratin e një mbi një ditarëve dhe lagjeve karakteristike, të zotët e shtëpisë na hapën dyert. Me mallëngjim dhe krenari tregojnë që po kujdesen shumë për t’i mbajtur si dikur shtëpitë shekullore që janë kanë lënë të parët.

“Kjo familje quhet familja Goxhomani, e ardhur në vitin 1765, trashëgimtari i parë i kësaj familje është nga Voskopoja”, shprehet një qytetar.

“Shtëpia jonë mund të jetë e vjetër 300-vjeçare dhe më përpara kjo shtëpi ishte siç është sot me tre kate dhe kati i tretë ishte me gurë, kur ra tërmeti kati i tretë u prish dhe vijnë disa pleq të vjetër që ishin këtu dhe i thonë gjyshit tonë, mos e bëni më shtëpinë me gurë, bëjeni me çatërma sepse edhe sikur të bie tërmeti, çatërmaja nuk prishet”, tregon një qytetar.

Në shtëpinë 300-vjeçare të nënë Margaritës, e cila u bë shtëpia e kujtdo mysafiri që rruga i ra për në Berat, sot ka një tjetër atmosferë, nëse shtëpia do t’i rezistojë apo jo kohës.

Nënë Margarita tregon se ju premtua restaurimi i çatisë dhe dyshemesë. Deri më tani është bërë vetëm gjysma e punës sepse nuk ka më para për ta përfunduar.

“Ju keni ardhur në një kohë që këto janë restauruar, çatia natyrisht. Lind pyetja zbukurove përjashta, po brenda moj zonjë? Do bëheshin dyshemetë. Dakord jam nëse s’kishte projekti kaq bagazh lekësh pse mi prishën le të mi linin ashtu siç ishin, të prishura”, tregon e moshuara.

Nënë Margarita ndihet e rrezikuar që çatia mund të hedhë në tokë, muret 300-vjeçare që nuk janë përforcuar.

Shtëpia e Petraq Goxhomanit, ishte e para që mori statusin e Monumentetit të Kulturës, kategoria e parë në Berat për një karakteristikë që nuk e ka asnjë shtëpi tjetër.

“Kur erdhi Strazimiri për të shikuar shtëpinë, u habit që tek ne hyje nga kati i tretë për të shkuar në katin e dyte dhe katin e parë. Kam bredhur gjithëkund tha po si kjo shtëpi nuk gjen asnjë shtëpi në botë dhe për këtë karakteristikë, ai i dha statusin monumente kulture në vitin 1965”, shprehet Petraq Goxhomani.

Në shtëpinë e Petraqit janë bërë ndërhyrje, sërish ka nevojë për restaurime.

“Unë sidomos lart kam shumë nevojë, sepse kur e rregulloi muze, ka vënë një trarë jashtëzakonisht të madh në murin e rrugës përjashta, dhe në murin e rrugës të asaj atje. Mirëpo ka filluar tani që shtëpia ka një lëkundje. Dhe unë do të interesohem tani që të paktën çfarë do ti bëj. Jo nuk kanë ardhur ta inspektojnë”, tregon ai.

Edhe pse me ligj është e ndaluar që pronarët e shtëpive monument kulture të kategorisë së parë të ndërhyjnë, neglizhenca para 15 viteve detyroi Petraqin ta restauronte vetë çatinë e shtëpisë.

“Çatinë e rregullova vetë, mora ustanë, edhe e rregullova, sepse në atë kohë kur binte shiu në të gjitha dhomat tona vinim legenë. Kishim kërkuar ta bënin çatinë por nuk na e bënë”, thotë ai më tej.

Për qytetarët, të cilët po mbajnë shtëpitë e vjetra ‘gjallë’, nuk është më si dikur sepse të afërmit dhe rinia kanë ikur në dhe të huaj për të gjetur të ardhmen e tyre.

Shumë banesa shekullore sot janë nxjerrë në shitje ose janë blerë nga të huajt.

Në qarkun e Beratit ka gjithsej 458 Monumente kulturore, ndërsa në qendrën historike e cila mbrohet dhe nga Unesco, 60 monumente kulturore janë të kategorisë së parë dhe 415 janë monument I kategorisë së dytë. Më 8 Korrik të 2008 lagja Kala, Mangalem dhe Goricë janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO.

Këto lagje sot po vuajnë ikjen e qytetarëve dhe si pas atyre që na rrëfyen edhe mungesën e investimeve serioze.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *