KryesoreLajme

26 vjet pas Masakrës së Abrisë, kujtohen 23 martirët e familjes Deliu

26 shtatorin e 1998-s, forcat serbe vranë në Abri të Epërme të Drenasit 23 anëtarë të familjes Deliu. Më i riu prej tyre ishte Valmiri, e më i moshuari Fazliu, 94 vjeç. Në shënimin e këtij përvjetori, kryeministri Albin Kurti ka thënë se të rënët në rrugën për çlirim nuk do të harrohen kurrë, teksa Masakrën e Abrisë e kualifikoi si një prej krimeve më mizore të Serbisë në Kosovë, e për të cilën nuk është dënuar askush. Të rënët në këtë masakër i kanë kujtuar edhe udhëheqës të tjerë shtetërorë e politikë

Fotografia e dyvjeçarit Valmir Deliu, të përgjakur e të shtrirë përtokë pa shenjë jete, u pati bërë shkas që 26 vjet më parë bota të merrte vesh për njërën prej krimeve më mizore të cilat forcat serbe i kanë kryer në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

26 shtatorin e 1998-s, forcat ushtarake dhe ato policore serbe kanë vrarë në Abri të Epërme të Drenasit 23 anëtarë të familjes Deliu. Më i riu prej tyre ishte Valmiri, e më i moshuari Fazliu, 94 vjeç.
Në shënimin e këtij përvjetori, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, e ka kujtuar të enjten motrën e vrarë nga forcat serbe, duke shkruar në rrjete sociale: “Nuk ju harrojmë kurrë, nuk na lejon shkrumbi në buzët e fëmijëve të familjes Deliu”.

Se të rënët në rrugën për çlirim nuk do të harrohen kurrë ka thënë edhe kryeministri Albin Kurti, tek e ka kujtuar përvjetorin e Masakrës. Ai e ka kualifikuar Masakrën e Abrisë si një prej krimeve më mizore të Serbisë në Kosovë, teksa ka theksuar se për të, sikurse edhe për masakrën në Golluboc, askush nuk është dënuar.

“Më 26 shtator 1998, pjesëtarë të tri njësive të policisë së Serbisë dhe kontingjente të ushtrisë jugosllave hynë në fshat. Anëtarët e familjes Deliu po strehoheshin në mal. Ata i qëlluan nga afërsia e pastaj ua gjymtuan kufomat. Masakra e Abrisë është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Për të askush nuk është dënuar. Atë ditë i masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

Tek e ka kujtuar Masakrën e familjes Deliu, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se jetët e tyre janë marrë mizorisht, porse kujtimi për ta mbetet i përhershëm.

“Nuk do të harrojmë kurrë. Jemi të përkushtuar për ta ruajtur kujtesën për ta, sikurse edhe për të vendosur drejtësi. Sot nderojmë edhe sakrificën heroike të dëshmorëve të UÇK-së, Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë në altarin e lirisë duke mbrojtur dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!”, ka shkruar ajo.

Të vrarët në këtë masakër i kanë kujtuar edhe udhëheqës partiakë.

Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, ka shkruar se vrasja e anëtarëve të familjes Deliu e përfaqëson historinë e Kosovës dhe të vërtetën e Serbisë.

“Dituria nuk mbijetoi që të festonte ditëlindjen e parë. Valmiri nuk u regjistrua kurrë në shkollë. Malësori ose Malësorja nuk erdhën asnjëherë në jetë. Fazliu nuk vdiq në shtrat i rrethuar nga më të dashurit e tij. Jetët e këtyre të katërve, përshirë 19 anëtarët e tjerë të familjes Deliu, u prenë tragjikisht në mëngjesin e 26 shkurtit në Abri të Epërme nga forcat kriminale serbe. Kjo është historia e Kosovës. Kjo është e vërteta e Serbisë. Kjo është dhembja me të cilën janë detyruar të jetojnë familja Deliu dhe të afërmit e tyre. Një krim që tejkalon gjithçka që fjalët mund të përshkruajnë”, ka shkruar ai në Facebook. 

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tek e ka kujtuar masakrën e 26 vjetëve më parë, ka kërkuar që përgjegjësit për krimin të nxirren para drejtësisë. 

“Kosova e pagoi shtrenjtë okupimin me spastrim etnik, shkatërrime dhe humbje njerëzore. Por vullneti ynë për liri dhe pavarësi mbeti i palëkundur, siç u përcaktuam edhe në referendumin historik të fundshtatorit të vitit 1991. Zotohemi se do të qëndrojmë gjithmonë pranë familjeve që humbën të dashurit dhe do të kërkojmë drejtësi pa u ndalur. Kriminelët duhet të përgjigjen për veprimet e tyre”, ka shkruar ai.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

E kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, dhe ai i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, kanë bërë homazhe te varret e 23 martirëve.

Më 25 shtator 1998, familja Deliu u pati strehuar në mal për t’iu shpëtuar sulmeve serbe. Një ditë më vonë depërtoi këmbësoria serbe, duke qëlluar mbi anëtarët e familjes Deliu. Aty i kishin vrarë 14, gjashtë prej të cilëve ishin gra të moshës 25-62 vjeç. Fëmijë ishin pesë, midis të cilëve një foshnjë një vit e gjysmë, imazhi i kufomës i së cilës ishte shpërndarë në mediat më të mëdha të botës. Agjencia e lajmeve Reuters pati raportuar se kjo foshnje me plagë në fytyrë dukej se ishte rrokullisur nga gjiri i nënës së saj, sapo ishte qëlluar me plumb në kokë. Ndër tre burrat e vrarë në mal, dy ishin mbi gjashtëdhjetë vjeç. Këmba e 62-vjeçares Hava Deliaj ishte prerë poshtë gjurit. 

7 pjesëtarë të tjerë të familjes Deliu gjetën vdekjen pranë shtëpisë së tyre. I zoti i shtëpisë, 94-vjeç, invalid, ishte djegur bashkë me shtëpinë. Dy të tjerë ishin ekzekutuar në prezencë të familjarëve të gjallë, e një u gjet pranë malit me fytin të prerë. Në javët e ardhshme kufomat e dekompozuara të dy vajzave u gjetën të masakruara në të njëjtën zonë të krimit. 

KOHA ka raportuar atëkohë se si pesë gra dhe dy fëmijë të moshës 5 dhe 7 vjeç po qëndronin të shtrirë në një skëterrë të ngushtë në afërsi të një tende ku ishte strehuar familja Deliu. Të gjitha viktimat ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e disa prej viktimave tregonin dëshmi të qarta të një kasaphaneje. /Koha/

YouTube player