KryesoreLajme

26 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake e policore serbe

Më 24 mars para 26 vjetësh, nisi fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. 

Më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet.

Por Slobodan Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.

Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen solli operacionin ushtarak “Allied Force” (Forca aleate v.j.). Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Ish-presidenti amerikan, Clinton, kishte shpjeguar qëllimet e fushatës së NATO-s në fjalimin e tij televiziv po atë natë. Ai e dëshmoi seriozitetin e reagimit të NATO-s kundër agresionit serb dhe ndaljen e sulmeve të shfrenuara të Milosheviqit në Kosovë. Qëllimi ishte të dëmtohen seriozisht kapacitetet ushtarake të ish-Jugosllavisë për të bërë luftë në të ardhmen.

Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë. Në këtë fushatë SHBA-ja i realizoi mbi 60 për qind nga numri i tërësishëm i fluturimeve dhe mbi 80 për qind nga numri i tërësishëm i goditjeve. SHBA-ja, po ashtu, e kishte rolin dominues në realizimin e aspekteve më moderne të fushatës ajrore. 

Lexo më shumë  Ndërrimi i pushtetit në veri - Flamujt e fotografia e presidentes në sallat e kuvendeve

Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-s, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ-së e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Sipas shënimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatësh vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri. 

Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë.  Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë.

Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare, si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko – Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR), dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999.

Për 26 vjet janë bërë shumë analiza e shkruar libra rreth arsyeve të cilat e shtynë NATO-n të ndërhynte në Kosovë, pas dështimeve 10-vjeçare të bashkësisë ndërkombëtare për ta ndalur Slobodan Milosheviqin.

Lexo më shumë  Kurti mori pjesë në takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare

Ekzistojnë argumente “pro” dhe “kundër” intervenimit të NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë. Ata që janë kundër argumentojnë se intervenimi nuk ishte i pastër nga pikëpamja ligjore, për shkak se nuk bazohej në ndonjë rezolutë eksplicite të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kurse ata që miratuan ndërhyrjen e arsyetuan me faktin se u shpëtua një popull i tërë nga spastrimi etnik dhe gjenocidi. 

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte krijuar ndasi edhe brenda vendeve anëtare të NATO-s, në lidhje me ekzistimin e së drejtës së ndërhyrjes humanitare në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Marc Weller në librin e tij “Shtetësia e kontestuar: Administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi”, botuar në qershor të vitit 2011 nga Botimet KOHA, shkruan se një numër i bollshëm i shteteve zyrtarisht kishin kundërshtuar justifikimet për përdorimin e forcës.

“Duhet përmendur se edhe disa shtete anëtare të NATO-s, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, më vonë iu bashkuan kundërshtuesve të së drejtës për veprim të njëanshëm”, shkruan Weller. Megjithatë, Franca argumentonte se aksioni kishte qenë i justifikuar, duke iu referuar fuqisë që i kishin dhënë rezolutat ekzistuese të Këshillit të Sigurimit. Kurse Gjermania theksoi se operacioni ishte i justifikueshëm për shkak se rrethanat kishin qenë të posaçme, por shprehimisht e mohoi ekzistimin e një rregulli të ndërhyrjes humanitare në përgjithësi.

YouTube player