2025 projekti: Kolonizimi i shqipëtarve të Ulqinit
Shkruan Nexha Gjema
2025 PROJEKTI: KOLONIZIMI I SHQIPËTARVE TË ULQINIT
Mënyra ma e mirë se si me i largu shqiptarët prej Ulqinit – për 99 vjet rresht!
Po, more, po. E kanë gjetë zgjidhjen: s’ka nevojë me i përzanë shqiptarët me dhunë, mjafton me ua marrë Plazhin e Madh për nji shekull. E kjo po ndodh me “marëveshje moderne për zhvillim turistik.
Humbje e tokës tonë – për breza e breza
Plazhi i Madh s’është veç ranë e det, por asht zemra e Ulqinit, pjesë e kujtimit tonë, e jetës dhe e ekonomisë së shqiptarëve. Me i dhanë me qira për 99 vjet një kompanie të arabëve, Emaar-it të zotnisë Mohamed Alabbar, asht njesoj si me thanë: “na merrni çka t’doni, boni çka t’doni, veç na jepni nji premtim që shqiptarët s’kemi me i pas ma knej-pari.”
Rreziku me na shly prej hartës
Kur vjen “Dubai” me valixhe eurosh:
• Rriten çmimet, shqiptari i thjeshtë s’e përballon jetesën.
• Punët i marrin të hujt.
• Tokat përreth shiten, e ngadalë-dalë, Ulqini zhbëhet.
• E kultura jonë shëndrrohet në dekor turistik, për foto e marketing.
Jo zhvillim, por kolonizim ekonomik
Mos u mashtroni me fjalën “zhvillim”. Ky s’është turizëm për komunitetin – është pushtim ekonomik me leje të qeverisë. Pse duhet Ulqini me u ba si Dubai, kur veç Ulqini asht mjaftueshëm i bukur? Apo s’duhet me mbetë shqiptar më aty?
Pse Shqiptarët s’i ka pytë kush?
Marëveshja:
• Asht ba pa i pytë shqiptarët lokalë.
• Asht nënshkru në heshtje, në Emirate, larg syve e veshëve të vendit.
• Deputetët shqiptarë? Nuk e di a po flejnë në parlament a e kanë humbë rrugën, apo përnime janë çfitat e Dritan Abazoviqit i cili brenda mandadit të tij, kontriboi vetëm për interesat sërbe në Malin e Zi?
Ky është një poshtnim i madh politik, me përjashtim të popullit shqiptar prej vendimeve që prekin direkt jetën e tyne. Ata ka qenë dashtë me i ra grusht tavolinës fort, me ngrit za e me kërku përgjigje dhe llogaridhanje për këtë vendim?
Ulqini prej nji qendre shqiptare, në skenografi për turistë të huaj
Plazhi i Madh që i ka mbajtë me dekada shqiptarët me biznes, me punë, me pushim, ka me u kthye në resort të mbyllun me roje, deve e kokteje të importume.
Kam frikë që shqiptari ka me pa detin veq me dylbi.
Çka me ba?
• Me ngritë zanin shqipe! Jo ma heshtë! Me organizu protestë – në rrugë, në rrjete, në media!
• Me çu zanin jashtë – në Evropë, në media ndërkombëtare, me i tregu se s’jemi veç shifër në planin investiv.
• Me kërku që marrëveshja të anulohet, ose të rishikohet n’prani të komunitetit shqiptar.
• Me ba peticion, me unifikim mes Shqipnisë, Kosovës e diasporës – sepse Ulqini s’ka kufij për shqiptarinë.
Deri sa na shqiptarët armiqësohemi ndërmjet veti – parti me parti, krahinë me krahinë, shtet me shtet – planet e vjetra të Serbisë po ecin përpara, dalë-ngadalë, e pa asnji pengesë. E jo veq në Ulqin, po kudo…
Plazhi i Madh nuk asht veç tokë – asht histori, asht gjuhë, asht jetë.
E jeta nuk jepet me qira.
Kurrë.
Rruga Press