1963 – Viti kur ndodhi tërmeti demografik mbi shqiptarët e Shkupit
Nga Emin Azemi
Fotot e mëposhtme ilustrojnë gjendjen e krijuar pas tërmetit katastrofal që ndodhi para 69 viteve (1963) në Shkup, atëherë kur solidariteti ndërkombëtar nuk fliste shqip. Atëherë gjithë bota u ngrit për të risistemuar familjet e goditura nga tërmeti dhe për rrjedhojë qysh atëherë lindën lagjet luksoze: Taftalixhe, Zhdanec, Vodno, Porta Vllae etj, ndërkohë që lagjet shqiptare përjetuan tmerrin e shpopullimit.
Askush nuk u mor me risistemimin e shqiptarëve, sepse ky ishte një plan shtetëror që e hoqi Shkupin nga lista e qyteteve me numrin më të madh të shqiptarëve në botë. Dikujt i pengonte së tepërmi kjo statistikë, sepse në Jugosllavinë e Titos shqiptarët trajtoheshin si pakicë kombëtare dhe ishte absurde që kjo pakicë të dominonte Shkupin (!)
“Shkupi ishte me popullsi dominuese nga shqiptarët, por fill pas implementimit të këtyre projekteve erdhi largimi i 20 mijë shqiptarëve në Kosovë, emigrimi i qindra familjeve në vitin 1963 në Turqi dhe sjellja e 20 mijë sllavëve nga Polonia, Çekosllavakia dhe Maqedonia e Egjeut. Këtu e shohim atë element kyç të ndryshimit të strukturës së popullsisë dhe dominimit sllav në këtë qytet”, thotë historiani prof.dr Skender ASANI-drejtor i ITSHKSH.
Historiani Aasani, nga Arkivi i Maqedonisë, ka siguruar dokumente që flasin për largimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve nga Shkupi drejt Kosovës dhe Turqisë, menjëherë pas tërmetit që goditi këtë qytet.
Këto dokumente shpalosin edhe planin tjetër, zhduljen e shtëpive dhe objekteve kulturore- fetare të shqiptarëve dhe ngritjen e ndërtesave të institucioneve shtetërore dhe lagjeve të pastra etnike maqedonase…
“Në këto dokumente thuhet se, duhet zhfrytëzuar ky moment që këto objekte të hiqen nga faqja e dheut dhe të mos ndërtohen përsëri. Prej asaj periudhe kohore ato objkete nuk ekzistojnë më dhe mbi to kemi ndërtime të tjera të etnokulturës dhe arkitekturës maqedonase”, saktëson Asani.
Rruga Press