116 vjet më parë Fan Noli mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe
116 vjet më parë u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, në ditën e themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston.
Mesha e parë në gjuhën shqipe u mbajt më 22 mars 1908, prej atë Theofan Nolit në sallën e “Kalorësve të Nderit”, në Boston të SHBA. Liturgjia Hyjnore e përkthyer nga Fan Noli, tingëllonte shumë bukur në gjuhën shqipe dhe kuptohej nga besimtarët e pranishëm. Po atë ditë shqiptarët u mblodhën në sallën “Feniks” dhe themeluan Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit.
Kryekisha e Shën Gjergjit në Boston u themelua më 22 mars të vitit 1908 dhe është kisha e parë ortodokse shqiptare në Amerikë. Grupi nismëtar për themelimin e kryekishës së Shën Gjergjit përbëhej nga patriotë shqiptarë me ideale të larta atdhedashurie. Disa prej tyre qenë: Nikolas Kristofer, arkëtar, Xhorxh Toli, sekretar, Filip Vasili, ndihmëssekretar, Misto Millona, Harri Kaçka, Xhon Kozma, Kosta Racka etj.
Klerikët që kanë meshuar në gjuhën shqipe në këtë kishë kanë qenë: Atë Theofan Noli, Atë Naum Çere, Atë Damian Angjeli, Atë Stath Melani, Atë Nikolas Kristofor, Atë Dhosi Katundi, Atë Thimi Theodhosi, Atë Vangjel Çamçe, Atë Vani Çani, Atë Krist Elli, Atë Artur Liolin, etj.
Rruga Press