105 vjetori i Musine Kokalarit, objektet në shtëpinë muze të Kokalarit, jo në banesën e diktatorit
Nuk pranoj që dorëshkrimet apo objektet personale të Musine Kokalarit të ekspozohen në ambientet e Muzeut Etnografik, pasi kjo është shtëpia e diktatorit Enver Hoxha.
Kështu ka deklaruar Bibika Kokalari, e afërmja e shkrimtares gjirokastrite, e cila ishte e pranishme në eventin e organizuar në kuadër të 105-vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit.
“Dorëshkrimet i donte për në Arkivën e Shtetit, materialet etnografike që i ka skeduar vetë i ka për Muzeun e Gjirokastrës. Këto materiale duhet të jenë në një vend të veçantë që t’i kushtohet Musinesë. Fatkeqësia është që Muzeun Etnografik e keni te shtëpia e Enver Hoxhës, por ato dokumente nuk i çoj te ajo shtëpi sepse ai ishte xhelati që i mori tërë rininë dhe tërë jetën Musinesë”, tha e afërmja e Kokalarit.
Një tjetër pikë, e cila vijon të diskutohet prej vitesh është edhe ngritja e një muzeu kushtuar jetës dhe veprës së Musine Kokalarit. Ish-ministria e kulturës Mirela Kumbaro premtoi hapjen e këtij muzeu por ende asgjë e re në horizont.
Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burrel, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen.
Ndërroi jetë më 13 gusht 1983, por jo në Gjirokastër ku nuk u kthye dot kurrë./a2/
Rruga Press