10 shkurti 2007: Një njollë në reputacionin e OKB-së
Nga Dr. Alex Channer
Përvjetori i demonstratës së 10 shkurtit 2007 në Prishtinë gjithnjë është çast reflektimi. Për familjet që humbën më të dashurit e tyre, për ata që u plagosën rëndë, në zemër të atij reflektimi qëndron një pikëllim. E humbja që ata kanë pësuar gjithsesi thellohet nga mosvënia e drejtësisë.
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë askush nuk është vënë para përgjegjësisë për vrasjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, as për plagosjet e rënda që pësuan Zenel Zeneli, Mustafë Nerjovaj dhe Hysni Hyseni. Teksa merrnin pjesë në një demonstratë paqësore, mbi këta të rinj qëlloi me armë policia rumune, pjesë e policisë së misionit të OKB-së në Kosovë, duke përdorur fishekë gome vdekjeprurës të cilëve u kishte kaluar afati i përdorimit. Sipas hetimit të brendshëm të zhvilluar nga vetë OKB-ja, veprimi policor nuk ishte i arsyetuar. Megjithatë, u mbyll një sy dhe u lejua që njësiti policor përgjegjës të largohej nga Kosova.
Në vitin 2007 UNMIK-u kishte përgjegjësinë për të mbrojtur e nxitur të drejtat e njeriut në Kosovë, duke luajtur edhe funksion shtetëror. E vetmja rrugë ligjore që u mbetej në dispozicion familjeve Xheladini e Balaj ishte Paneli Këshillues i të Drejtave të Njeriut, që u pati themeluar nga UNMIK-u me Rregulloren Nr. 2006/12, më 23 mars 2006. Paneli qe krijuar për të analizuar çdo pretendim për shkelje të të drejtave njerëzore nga ana e UNMIK-ut, duke ndihmuar asisoj në realizimin e objektivave të veta për të drejtat e njeriut. Mirëpo roli i Panelit ishte i cenuar qysh në fillim. Sepse Paneli kufizohej në këshillues, e vendimet e tij nuk ishin detyruese.
Për shkak të ndërhyrjeve nga ana e UNMIK-ut, Paneli u vonua tetë vjet për të konkluduar, por Opinioni që ata nxorën pati jehonë. Ata dolën me përfundimin se policia kishte përdorur forcë të tepruar që nuk ishte as e nevojshme, as proporcionale. Po ashtu, dolën me përfundimin se hetimet e brendshme që kishte bërë UNMIK-u nuk kishin qenë as të pavarura e as efektive.
Në Opinionin që nxori Paneli bëheshin një sërë rekomandimesh për Përfaqësuesin Special të UNMIK-ut (SRSG): Ata i kërkonin UNMIK-ut që publikisht të pranonte përgjegjësinë për vrasjet e Monit dhe Arbenit e për plagosjet e Zenelit dhe Mustafës, si dhe të kërkonte publikisht falje. Gjithashtu rekomandohej që UNMIK-u të ndihmonte çdo hetim të pavarur në të ardhmen, dhe të jepte kompensim për dëmet morale. Së fundi, rekomandohej që edhe OKB-ja të ndërmerrte hapa që përmirësojnë standardet sa i përket përdorimit të forcës në misionet paqeruajtëse të OKB-së.
Por UNMIK-u nuk i mori parasysh rekomandimet. Në të vërtetë, sipas Raportit Final të Panelit, botuar më 30 qershor 2016, UNMIK-u nuk veproi sipas asnjërit prej rekomandimeve të dhëna nga ai panel në 335 opinione që u nxorën gjatë tetë vjetëve kur funksionuan. Madje, ç’është më e keqja, kjo çështje e shtyu UNMIK-un të ndryshojë procedurat duke e bërë të pamundur vënien e tij para përgjegjësisë nga ana e Panelit.
Kjo na shqetëson thellësisht të gjithë ne që mbështesim dhe besojmë në rolin kyç të OKB-së për të nxitur të drejtat e njeriut anembanë botës. Duke mos arritur të hetojë si duhet çështjen e duke mos dhënë drejtësi për të lënduarit nga qitjet policore në 10 shkurt, mbi reputacionin e OKB-së u vu një njollë.
Mosndërmarrja e veprimeve domethënëse në përgjigje të secilit prej hetimeve të Panelit, do të thotë se edhe UNMIK-u nuk i ka dhënë drejtësi askujt prej atyre që janë ankuar për të, shumica e të cilëve vijnë nga radhët e minoriteteve të Kosovës. Aty përfshihen edhe ankesa serioze sa i përket dështimit të UNMIK-ut për të hetuar rrëmbimet, zhdukjet dhe vrasjet e të afërmve gjatë viteve 1998-2000, si dhe një rast të rëndë diskriminimi, kur shumë familje rome të shpërngulura prej brenda Kosovës u strehuan për vite me radhë në kampe të kontaminuara me plumb në Mitrovicën Veriore. Paneli, po ashtu, ka adresuar edhe shumë pretendime pronësore të serbëve të Kosovës. Në Raportin Final, Paneli konkludon:
“Si pasojë ata (ankuesit) janë viktimizuar dy herë nga UNMIK-u: gjatë shkeljes fillestare të të drejtave të njeriut që u është bërë, dhe së dyti, duke mos marrë asnjë kompensim gjatë procesit. Për shumë vite Paneli ka bërë analiza të hollësishme të ankesave që janë paraqitur dhe ka kërkuar nga UNMIK-u dhe OKB-ja që të ndërmarrin veprime në të mirë të ankuesve para se të përfundonte mandati i Panelit Këshillues për të Drejtat e Njeriut; por për turp e faqe të zezë, kjo nuk ndodhi”.
Mirëpo ishte ankesa për rastin e 10 shkurtit, e regjistruar si Balaj et al. ajo që u bë ankesa më e politizuar prej atyre që adresoi Paneli. UNMIK-u ndërmori veprime serioze për të penguar hetimin që bënte Paneli, si edhe përfaqësuesit ligjorë të ofruar pro bono nga dy avokatet nga Mbretëria e Bashkuar, Paul Troop dhe Jude Bunting.
Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të UNMIK-ut si fillim ndërhyri për t’ia ndaluar Panelit mbajtjen e një dëgjimi publik për këtë çështje në vitin 2009. Pastaj Udhëzimi Administrativ (UA) për Panelin u rishkrua. UA-ja e re i kishte ndryshuar kriteret e pranimit të ankesave duke përjashtuar Balaj et al., por vetëm vendosmëria që tregoi Paneli bëri që kjo çështje të ripranohej. UA-ja e re i jepte përfaqësuesit special të drejtën të emëronte anëtarët e Panelit dhe kërkonte prej Panelit që t’i procesonte gjithë lajmërimet publike përmes Zyrës për komunikim të UNMIK-ut, gjë që kërcënonte pavarësinë e Panelit.
Veç këtyre, përfaqësuesi special vuri një afat, 31 mars 2010, pas të cilit Paneli nuk mund të pranonte më ankesa. Sipas Panelit, gjatë vitit 2009 përfaqësuesi special e ndali riemërimin e anëtarëve të Panelit dhe i la ata me kontrata të përkohshme tremujore. Përfaqësuesi special, sipas raportit, u përpoq pa sukses që t’i zëvendësonte anëtarët e Panelit, dhe u përpoq ta ndalte emërimin e një anëtari të ri nga presidenti i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kur një anëtar i Panelit dha dorëheqje.
Është e vështirë të rroken gjithë përpjekjet që ndërmori UNMIK-u për të shmangur marrjen e përgjegjësisë për 10 shkurtin. Por ky dështim për vendosjen e drejtësisë mund të përmirësohet lehtësisht nëse sekretari i përgjithshëm i OKB-së organizon një hetim të pavarur dhe efektiv mbi çështjen dhe u jep drejtësi familjeve.
Paul Troop, i cili tash është pjesë e Garden Court Chambers konkludon: “Veprimet e përfaqësuesit special dhe të UNMIK-ut ndaj Panelit të të Drejtave të Njeriut ishin për keqardhje. Ato ishin kombinim i dështimit në zbatimin e të drejtave themelore njerëzore, me përbuzjen për standardet bazike të drejtësisë. Përveçse që nuk i morën parasysh në asnjë pjesë rekomandimet e Panelit, përfaqësuesi special dhe UNMIK-u janë marrë vesh fshehurazi për të penguar punën e Panelit duke përdorur taktikat më bazike që i përdorin diktatorët e ardhur në pushtet pa zgjedhje. Kjo njollë mbi OKB-në duhet pastruar përmes një ndërhyrjeje nga sekretari i përgjithshëm. Nëse kjo nuk ndodh, mbetet e hapur për gjykatat vendore të Kosovës që t’ia heqin imunitetin UNMIK-ut dhe të kërkojnë llogari e përgjegjësi për dështimet e përfaqësuesit special dhe të UNMIK-ut”.
(Dr. Alex Channer është specialiste e të drejtave të njeriut dhe përkthyese. Ajo ka qenë anëtare e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe koordinatore për çështjen e 10 shkurtit)
Rruga Press