1 miliard euro për ndërmarrjet prodhuese me qeverinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Prodhimtaria dhe ndërmarrësia janë njëra nga shtyllat kryesore të programit të ri të Qeverisë Kurti 3. Me qeverisjen e re, parashikojmë 1 miliard euro për programin e mbështetjes së investimeve në kapacitete prodhuese, përmes garantimit të kredive për investitorët. Duke mbështetur sektorët prodhues, do të ndihmojmë në stimulimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja për punësim, duke fuqizuar sektorët që kanë potencial për zhvillim të mëtejshëm.
Programi “1 miliard euro për prodhim” synon dhe parashikon shfrytëzimin e emrit të mirë që Republika e Kosovës ka krijuar gjatë viteve të fundit sa i përket borxhit publik. Gjatë qeverisjes tonë kemi ndërtuar raporte të shkëlqyera me institucionet financiare ndërkombëtare, ky raport i mirë do të shfrytëzohet për t’u dhënë mundësi bizneseve vendore që të investojnë në kapacitetet prodhuese. Shteti, duke ofruar garanci shtetërore për kreditë që këto biznese do të marrin për investime, do të mundësojë qasje më të lehtë në kapital deri në vlerën e 1 miliard eurove, si dhe norma më të favorshme interesi.
Kjo nuk mbetet e vetmja, investitorët do të kenë mundësinë të përfitojnë edhe nga skemat e subvencionimit të pagave. Pra, kështu duke ndihmuar tutje në uljen e barrës financiare e duke inkurajuar krijimin e vendeve të reja të punës. Përmes kësaj mbështetje do të arrijmë zhvillim të qëndrueshëm e do të kemi ndikim afatgjatë në zhvillimin e sektorit prodhues në Kosovë.
Rruga Press