1.7 miliardë lekë për reklamimin e e-Albania. Ku u ‘zhdukën’ lekët e taksapaguesve shqiptarë?
Miliarda lekë ka shpenzuar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për reklamimin e portalit e-Albania, ndërkohë që ky portal dështoi dhe u gjunjëzua para sulmeve kibernetike.
Por me sa duket për drejtuesen e AKSH, Mirlinda Karçanaj, më shumë rëndësi ka reklamimi se mbrojtja dhe mirëfunksionimi i portalit e-Albania.
Për të reklamuar shërbimet e-Albania, AKSHI i ka ofruar shumën 173.220.000 lekë operatorit ekonomik ‘Spot Communicatiuons’.
Në tender morën pjesë 3 kompani ‘Oglivy’ shpk, ‘Spot Communicatiuons’ shpk dhe ‘1Up’ shpk.
Pas një investigimi nga Tv Ora rezultojnë se këto kompani janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Kompania fituese u shpall ‘Spot Communicatiuons’ ndërkohë që kompani pjesëmarrese në tender është edhe ‘1Up’.
Nëse i referohemi ekstrakteve në QKB rezulton se këto dy subjekte janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Mirza Alibegaj sot administratore e ‘Spot Communicatiuons’ në vitin 2013 ka qenë administratore e ‘1Up’.
Sipas ekstraktit historik ne QKB, Mirza Alibegaj, u emërua administratore pas largimit te Theodhoro Çamit.
Në vitin 2013 ‘Le Spot Group’ ka qenë ortak me kompaninë ‘1Up’ sot ‘Le Spot Group’ është ortak i kompanisë ‘Spot Communicatiuons’.
Dyshime akoma më të mëdha ngrihen për faktin se kompanitë në kohën e tenderit kanë rezultuar te e njëjta adresë në Lundër.
Me sa duket Drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka vendosur të mbyllë sytë para këtyre fakteve dhe të tregohet dorë lëshuar me fondet publike .
Pyetjes tonë të drejtqëpërdrejtë drejtuar zonjës Karçanaj nëse kompanitë pjesëmarrëse në tender kishin lidhje me njëra-tjetrën drejtuesja e AKSHI-t ka refuzar t’i përgjigjet.
Lidhja e kompanive pjesëmarrse në tender është vetëm maja e ajzbergut.
Në ditët në vijim Tv Ora do të zbardhë detaje se ku kanë përfunduar lekët e taksapaguesve shqiptarë, njëkohësisht do hidhet dritë nëse është përmbushur çdo detyrim sipas kontratës së lidhur mes AKSHI-t dhe Spot Communicatiuons’.
Eningmë mbetet fakti se përse heshtin institucionet dhe subjektet fituese të tenderit në ballafaqim me median. /ORA news
Rruga Press